Kërkesa e SPAK për arrestimin/ Sot mblidhet Kuvendi, vendos për ‘fatin’ e Arben Ahmetajt

Politikë | 3 vite më parë

Kuvendi pritet t’i hapë sot rrugën kërkesës së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt.

Në seancën e posaçme që do të mbahet ditën e sotme në orën 10:00, do të shqyrtohet dosja e SPAK për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë së kryeministrit Rama, dosje e cila më parë kaloi në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve u ra dakord që t’i rekomandohet Kuvendit pranimi i kërkesës së SPAK, për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Ahmetajt.

Ndërkohë opozita kërkoi që kjo çështje të futej në rend të ditës që në mbledhjen e djeshme të Kuvendit, por mazhoranca e hodhi poshtë këtë kërkesë duke krijuar tensione dhe debate të forta në sallë.

Pas debateve të shumta dhe ndërprerjes katër herë të seancës në fund u ra dakord që Kuvendi të mblidhet sot për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt. Ndaj këtij të fundit janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie.

Hetimi për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj ka përfshirë edhe bisedat telefonike të tij të para 11 viteve.

Nga këqyrja e tyre rezultoi se nga data 21 korrik 2012 deri në 10 tetor 2012, pra në gati tre muaj, të ketë patur 138 komunikime telefonike dhe 3287 mesazhe mes Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit.

Më pas SPAK thotë se janë faktuar edhe lidhjet mes Ahmetajt dhe Klodian Zotos, biznesmenit të inceneratorëve.

Sipas hetimeve rezulton që ai të ketë përfituar rreth 500 mijë euro përfitime të nisura që nga viti 2016 deri më 2020.

SPAK ka arritur të zbulojë edhe shkëmbime e-mailesh kur Zoto informohej mbi procedurat për inceneratorët. Në një nga këto e-maile del edhe emri i Alda Klosit, ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Financave.

Nga ana e tij, Arben Ahmetaj nuk është përballur deri më tani me këto akuza duke u larguar jashtë jashtë territorit të Shqipërisë, ndërsa avokatët e tij kanë deklaruar se ai ka udhëtuar për probleme personale, por pa dhënë të tjera detaje mbi vendin ku ndodhet aktualisht ish-zëvendëskryeministri për të cilin ka një kërkesë për arrestim nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe që do të shqyrtohet në seancën e ditës së sotme në Kuvend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme