Këshilli Bashkiak i Tiranës voton pro shkarkimit të Veliajt

Aktualitet | 12 muaj më parë

Në një zhvillim të rëndësishëm politik, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar për të shkarkuar nga detyra kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili qëndron në paraburgim që nga 10 shkurti 2025. Votimi u bë i mundur falë bashkimit të votave të këshilltarëve socialistë dhe demokratë.

Vendimi i Këshillit Bashkiak shërben si një propozim zyrtar. Sipas procedurave ligjore, ky propozim do t’i dërgohet Prefektit të qarkut, i cili më pas do ta kalojë në Qeveri. Vendimin përfundimtar për certifikimin e shkarkimit të Veliajt do ta marrë Këshilli i Ministrave.

Përplasjet në Këshillin Bashkiak të Tiranës

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, e cila kishte si pikë të vetme të rendit të ditës shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, është shoqëruar me debate dhe qëndrime të ndryshme mes këshilltarëve.

Në fjalën e saj hapëse, Kryetarja e Këshillit, Megi Fino, theksoi se vendimi i sotëm imponohet nga nevoja urgjente e qytetit për të pasur një drejtues. Fino vlerësoi punën e Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar si transformuese që nga viti 2015.

“Nuk është rastësore që qytetarët e Tiranës i kanë rinovuar besimin tre herë,” tha Fino, por shtoi se tani është momenti për të “zgjidhur ngërçin politik të Tiranës” duke kryer “detyrimin politik dhe moral.”

Këshilltari i Partisë Socialiste, Luan Bregasi, u shpreh se mbledhja duhet parë si një veprim normal i marrëdhënies ligjore mes kryetarit dhe Këshillit Bashkiak.

“Duhet konsideruar një mbledhje normale, rend dite, nuk duhet menduar se po bëhet një gjyq,” tha ai. Bregasi theksoi se gjyqin ndaj Veliajt do ta bëjnë institucionet e drejtësisë. Sipas tij, vendimi i sotëm merret sepse besimi i plotë është te sistemi i drejtësisë.

Anëtarët e Këshillit Bashkiak votojnë për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj

Zhulali akuza PS-së: Ju e ndaluat të merrte pjesë

Këshilltarja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, akuzoi Partinë Socialiste se i ka mohuar Veliajt të drejtën për të marrë pjesë në mbledhje.

“Veliaj është gjallë, nuk ndodhet sepse ju nuk e lejuat dhe duhet sikur po i përgatisni një ceremoni funebre,” tha Zhulali.

Ajo shtoi se vendimi për shkarkim është i vonuar dhe i paplotë, duke përmendur çështje si ajo e inceneratorit dhe afera “5D” si arsye kryesore për shkarkimin.

Braimllari i PS-së kërkon bashkimin e kërkesave për shkarkimin e Veliajt

Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, këshilltari i Partisë Socialiste, Endrit Braimllari, propozoi që tre kërkesat e ndryshme për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, të paraqitura nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Endri Shabani, të bashkohen në një akt të vetëm.

Sipas Braimllarit, vendimi për shkarkim nuk është një gjyq ndaj kryebashkiakut, por një domosdoshmëri për shkak të interesit qytetar. “Detyra jonë është të flasim për interesin qytetar, detyra jonë si të zgjedhur vendos është të ngremë shqetësimin kur punën nuk shkojnë siç duhet,” deklaroi ai.

Braimllari theksoi se Tirana ka nevojë urgjente për një drejtues të ri për të çuar përpara punët dhe projektet e ndërprera të bashkisë. Ai i bëri thirrje opozitës që të lënë mënjanë protagonizmat personalë dhe të fokusohen te interesat e qytetarëve.

“Kam një propozim konkret që duhet bërë model… të bashkohen të tre kërkesat në një akt të vetëm, referuar ligjit për vetëqeverisjen qendrore, duke lënë mënjanë betejën politike,” tha Braimllari. Ky propozim synon të unifikojë procesin dhe t’i japë fund ngërçit politik që ka përfshirë Bashkinë e Tiranës.

Gjokutaj: Këshilltarët e PS-së po votojnë sipas urdhrave politikë për shkarkimin e Veliajt

Genc Gjokutaj, avokat dhe këshilltar bashkiak nga radhët e opozitës, akuzoi Partinë Socialiste se po vepron si “kukulla me fije të kontrolluara nga kryeministri Edi Rama” në mbledhjen e sotme për shkarkimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj.

Në fjalën e tij, Gjokutaj theksoi se vota e opozitës dhe ajo e Partisë Socialiste, ndonëse duken njësoj në formë, kanë përmbajtje krejtësisht të ndryshme.

“Votimi jonë pro është njëjtë në formë me votimin tuaj, por ndryshon katërcipërisht në përmbajtje: ju doni ta shkarkoni Veliajn se zbatoni udhëra politike, ndërsa vota jonë pro është për interesin e qytetarëve,” u shpreh Gjokutaj.

Sipas tij, Veliaj nuk po mungon nga dëshira e tij, por për shkak të rrethanave ligjore.

Sekretari i Këshillit: Nuk ka asnjë vendim që e ndalon kryebashkiakun të jetë i pranishëm

Në një letër dërguar nga burgu, Veliaj kërkoi që prania e tij në mbledhje të hidhej në votim. Në përgjigje, Sekretari i Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli, sqaroi se nuk ka asnjë vendim që e ndalon kryebashkiakun të jetë i pranishëm. Megjithatë, Zeneli theksoi se Veliaj mund t’i dërgojë observacionet e tij me shkrim në rast se nuk ka mundësi të jetë fizikisht në mbledhje.

Kjo shkëmbim letrash, ndodh pasi ekipi ligjor i Veliajt nuk ka dërguar kërkesë zyrtare tek autoritetet e burgjeve për leje dalja..

Opozita kërkon proces të rregullt ligjor

Këshilltarët e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj kanë theksuar se do të votojnë pro shkarkimit të Veliajt, por këmbëngulin që procesi të jetë plotësisht i ligjshëm. Dorian Teliti, këshilltar i PD-së, shprehu shqetësimin se një proces i parregullt mund t’i japë Veliajt mundësinë të kundërshtojë vendimin në Gjykatën Administrative.

“Fakti që Partia Socialiste insistoi të mos dëgjohet, do të jetë nesër një instrument ligjor i Veliajt për të fituar gjyqin,” tha Teliti, duke shtuar se “edhe një i dënuar me burg të përjetshëm ka të drejtën të dëgjohet, jo më një kryetar.”

Sipas Telitit, dëgjimi i Veliajt në mbledhje është thelbësor për t’i “mbyllur derën” çdo mundësie që ai të kthehet në detyrë përmes një vendimi gjyqësor, si dhe për të shmangur dëmshpërblimet financiare nga taksat e qytetarëve.

PS dhe qëndrimi për dorëheqjen

Nga ana tjetër, Endri Shabani, një tjetër këshilltar, argumentoi se Veliaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen për interesin publik. Ai theksoi se arrestimi i Veliajt është një “fakt publik” dhe se nuk ka nevojë për debate të mëtejshme.

“Ligji është i qartë, pas 3 muajsh Këshilli Bashkiak i propozon Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij. Nuk ka për çfarë të dëgjohet më,” u shpreh Shabani, duke shtuar se Këshilli i Ministrave duhet të miratojë shkarkimin dhe të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Mbledhja e sotme pritet të kulmojë me një vendim për fatin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme