Kiev, sirena alarmi pas mbërritjes së liderëve evropianë, Scholz, Macron dhe Draghi vizitojnë Irpin

Liderët e Gjermanisë, Italisë dhe Francës udhëtuan me tren gjatë natës nga Polonia drejt Kievit për të dhënë mbështetjen e tyre në luftën ndaj Ukrainës. Por sapo kanë arritur në Kiev, liderët evropianë janë përballur me sirenat e alarmit, që paralajmërojnë sulmet ajrore ruse. Siç raporton BBC, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri italian Mario Draghi kanë vizituar pak më parë Irpin, një prej vendeve më të bombarduara nga forcat ruse. Kujtojmë se edhe Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri malazez Dritan Abazoviç vizituan më 15 qershor Borodyanka dhe Irpin e më pas ekspozitën “Forever Free Ukraine”, aty ku dëshmohen gjurmët e agresionit rus mbi Ukrainë, përmes ekspozimit të objekteve të luftës, sendeve personale dhe fotove të ushtarëve dhe civilëve, mes të cilëve edhe fëmijë.
Më pas tre liderët evropianë do të takohen me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për t’i shprehur nga afër solidaritetin dhe mbështetjen në luftën më shumë se 3-mujore në Ukrainë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar për BILD se vizita e tyre në Ukrainë nuk lidhet vetëm me faktin e mbështetjes morale, por edhe asaj financiare dhe humanitare.
“Duam të tregojmë jo vetëm solidaritet, por gjithashtu të sigurojmë se ndihma që po organizojmë, financiare, humanitare, por edhe kur bëhet fjalë për armët, do të vazhdojë Mbështetja do të vazhdojë për aq kohë sa është e nevojshme për luftën e Ukrainës për pavarësi. Situata në të cilën ndodhet Ukraina është shumë e pazakontë. Sanksionet kontribuojnë në mundësinë që Rusia të heqë dorë nga operacioni dhe të tërheqë përsëri trupat e saj. Sepse ky është qëllimi”, tha Scholz.



/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




