Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Bashkinë Elbasan, KAS nis nesër shqyrtimin

Bashkia Elbasan do të jetë të enjten në qendër të punës së Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, i cili do të shqyrtojë kërkesën Ankimore, të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Ky koalicion kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore Bashkia Elbasan, si dhe kundërshton vendimin e KZAZ-së për miratimin e Tabelës Permbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë dhe për Këshillin e Bashkisë, në Zonën Zgjedhore Bashkia Elbasan, në zgjedhjet e 14 majit 2023.
“Bashkë Fitojmë” kërkon ekspertimin kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.
“Kjo të realizohet nga ekspertë të huaj të pavarur nga institucionet shtetërore apo Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Për këtë nevojitet që pajisjet të ruhen në kushte të përshtatshme në gjendjen aktuale me qëllim mosndërhyrjen nga personat e paautorizuar si dhe të mirëruajtura nga agjentët atmosferikë.”- thuhet në ankimim.
“BF” kërkon edhe krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti) për çdo qendër votimi.
Në kërkesë përfshihet edhe kqyrja e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit me qëllim, sipas ankimimit, “evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qëndrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qënë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi”.
“BF” kërkon edhe evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, si dhe evidentimin e votimit nga vetë Operatorët e PEVN-ve, të komisionerëve për llogari të votuesve.
“Krahasimin e kodeve të votuesve me listën e votuesve për çdo QV në Bashkinë Elbasan, në lidhje me pajisjen e identifikimit të votuesve (PED). Rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit te njësisë zgjedhore, Bashkia Elbasan dhe miratim i tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Elbasan duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votive”- thuhet në ankimim.
“Bashkë Fitojmë” kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara në zonën zgjedhore Bashkia Elbasan.
Zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Elbasanit i dhanë fitoren kandidatit të PS-së, Gledian Llatja me 56.38% të votave të vlefshme, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi mori 43.62% të votave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




