Kolonjë- Investimet për 2024, infrastruktura, kanalizimet e bujqësia, prioritete të bashkisë

Një sërë investimesh të rëndësishme do të kryhen gjatë vitit 2024 në bashkinë e Kolonjës. Përmes buxhetit të këtij viti është parashikuar ndërhyrje në dy qytetet e kësaj bashkie por edhe në njësitë administrative, si në infrastrukturë, kanalizime, bujqësi, e terrene sportive.
Në investimet e këtij viti do të përfshihet edhe rikonstruksioni i sheshit pas bashkisë si dhe sheshi para muzeut të Ersekës. Do të vijojë rikonstruksioni i trotuareve në qytetin e Ersekës dhe një gjë e tillë do të kryhet edhe në qytetin e Leskovikut.
Nënkryetari Petro Risto thotë se investime do të kryhen edhe sa i takon ndriçimit publik në të gjithë bashkinë.
“Vazhdojmë me investimet në ndriçim, të cilin e kemi nisur me qytetin e Leskovikut dhe të Ersekës”, tha Risto.
Në ndihmë të bujqësisë e blegtorisë do të kryhet rikonstruksioni i kanalit ujitës Gostivisht dhe Taç poshtë, do të ndërtohen prita në përrenj dhe lera e korrita për blegtorinë. Këtë vit është menduar edhe rikonstruksioni i terreneve sportive në shkolla dhe ndërtimi i një palestre të re:
Në të gjithë bashkinë Kolonjë do të vendosen kosha të rinj për mbetjet duke siguruar kështu një mjedis më të pastër dhe grumbullimin më të mirë të mbetjeve.
Gazetare Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




