Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK për Alfred Ballën, kreu i KLP: Procedura duhet të ishte mbyllur që para 5 vitesh

Aktualitet | 3 vite më parë

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Alfred Balla ka reaguar pasi Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK-së, për ndërprerjen e procesit të vettingut pa vendim përfundimtar.

Balla shkruan se procedura ka qenë e lënë pezull në zyrën e vettingut dhe do duhej të ishte pushuar që prej 5-vitesh.

Ai argumenton se procedura e vettingut si këshilltar duhej të pushohej pa një vendim përfundimtar, pasi me lirimin e tij nga detyra si Këshilltar Ligjor, pasi i përfundoi mandati gjyqtarit me të cilin punonte, nuk ka me një objekt shqyrtimi.

 “Ju sqaroj shkurt në lidhje me ankimin që ka ushtruar Komisioneri Publik F.Ballhysa ndaj vendimit të KPK-së dhënë para disa ditësh për mua. Ajo ka qenë një procedurë e mbetur “pending” në zyrat e vetingut dhe duhej pushuar që para 5 vitesh kur ju drejtova me shkresë KPK-së. Unë jam shkëputur përpara 6 vitesh nga Gjykata e Lartë që kur isha Këshilltar Ligjor dhe u lirova nga detyra pasi përfundoj mandati i gjyqtarit me të cilin punoja. Pra s’duhet formim juridik të kuptosh që me largimin tim ligjor dhe jo dorëheqje nga Gjykata e Lartë, procedura e vetingut si këshilltar, duhej të pushohej pa një vendim përfundimtar pasi ska më objekt shqyrtimi dhe unë nuk gëzoj statusin e këshilltarit. Kur kam filluar në KLP si i zgjedhur nga Kuvendi, si përfaqësues i shoqërisë civile, kisha 15 muaj që isha shkëputur nga puna. Vendimarrja e KPK-së edhe pse e vonuar është e drejtë. Ankimi i ushtruar nga Komisioneri më habiti pasi praktikat e tij me mosankim në raste analoge si psh M.Xhaferllari, D.Gjunkshi, etj., nuk lënë vend për të ushtruar ankim”, shkruan Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme