Komisioni i Ekonomisë miraton tri projektrezoluta, AMF raporton rritje të tregjeve jobankare në 149 miliardë lekë

Ekonomi | 4 muaj më parë

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, miratoi tri projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të institucioneve të pavarura për vitin 2025. Pas miratimit të tyre, komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore për raportin vjetor të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Komisioni shqyrtoi dhe miratoi dokumentet e vlerësimit të veprimtarisë vjetore për tri institucione kryesore, sipas ndarjes së relatorëve përkatës: Agjencia e Sigurimit të Depozitave, shqyrtuar pa ndryshime paraprake; Autoriteti i Konkurrencës, relatuar nga deputeti Elton Korreshi; Instituti i Statistikave (INSTAT), relatuar nga deputetja Zamira Sinaj.

Raportimi i AMF

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Adela Xhemali, paraqiti përpara deputetëve të dhënat financiare të vitit 2025 dhe objektivat për periudhën në vazhdim. Xhemali vlerësoi se tregjet financiare jobankare shënuan një rritje të qëndrueshme, e cila u shoqërua me forcimin e mbikëqyrjes dhe rritjen e transparencës.

“Vliera totale e aktiveve të tregjeve nën mbikëqyrjen e institucionit arriti në rreth 149 miliardë lekë në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje vjetore prej 13%.”

Lidhur me sektorin e sigurimeve dhe reformat rregullatore, drejtuesja e AMF-së bëri me dije ndryshimet e fundit ligjore në fushën e sigurimit të detyrueshëm motorik:

“Viti 2025 shënoi hyrjen në fuqi të kuadrit të ri për faktorët e riskut në llogaritjen e primit, ndërsa nga 1 janari 2026 ka nisur zbatimi i sistemit bonus-malus, i cili lidh çmimin e sigurimit me historikun e dëmeve dhe profilin individual të drejtuesit të mjetit.”

Të dhënat kryesore të portofolit të sigurimeve për vitin 2025: Sigurimi i jetës, rritje prej 17,6%; sigurimet jojetë, zgjerim me rreth 10%; sigurimet e detyrueshme përbëjnë pjesën më të madhe të tregut, me rreth 62% të totalit të primeve.

Portofoli i investimeve të shoqërive të sigurimit arriti në 46 miliardë lekë, me një rritje prej 9% në krahasim me vitin 2024.

Rekomandimet dhe diskutimet e deputetëve

Deputetja Antoneta Dhima, në cilësinë e relatores, vlerësoi punën e realizuar nga Autoriteti përgjatë vitit 2025 dhe paraqiti përpara komisionit rekomandimet për përmirësimin e veprimtarisë në vijim.

Gjatë fazës së diskutimeve, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime dhe informacion shtesë nga përfaqësuesit e AMF-së mbi ecurinë e inspektimeve dhe zbatimin e reformave të rëndësishme strukturore, si Solvency II dhe SNRF 17. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu mekanizmave të mbrojtjes së konsumatorëve, funksionalizimit të skemës së kompensimit të investitorëve, mbikëqyrjes së fondeve të pensioneve, si dhe prioriteteve konkrete të institucionit për vitin 2026.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme