Komisioni për kontratat në Shëndetësi, mazhoranca gati Planin Hetimor me 7 pika

Një ditë para rimbledhjes së Komisionit Hetimor për Kontratat e Partneritetit Publik Privat në Shëndetësi, mazhoranca ka hartuar tashmë një Plan më të detajuar Hetimor të cilin do ta prezantojë nesër në mbledhjen e koordinuar të komisionit.
Ndonëse opozita pretendonte për bojkot të komisionit, ekspertët e thirrur nga mazhoranca kanë punuar intensivisht për të pasur gati draftin që pritet të miratohet në mbledhjen e ditës së nesërme.
Dokumenti është një plan shumë i detajuar që përcakton qartë hapat parlamentarë që duhen ndjekur për hetimin e kontratave të partneritetit publik privat në sektorin e shëndetësisë. Struktura organizative e Planit Hetimor ka 7 hapa si më poshtë.
- Përcaktimi i Qëllimeve dhe Objektivave të Hetimit
- Përcaktimi i Kufijve dhe Juridiksionit të Hetimit
- Strukturimi i Ekipit Hetimor
- Planifikimi i Procesit të Mbledhjes së provave
- Seanca të Dëgjimit dhe Analizë
- Raportimi dhe Rekomandimet
- Ndërmarrja e Veprimeve të Mëtejshme
Drafti i ekspertëve të mazhorancës ka të përcaktuar qartë edhe kalendarizimin e Planit Hetimor duke iu përmbajtur afatit 4 mujor të miratuar nga Kuvendi.
Po kështu janë parashikuar edhe vizita në terren për të parë zbatimin e kontratave, si dhe intervista të ndryshme me stafin dhe pacientët.
Mazhoranca propozon edhe një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve, duke përfshirë afatet dhe përgjegjësit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




