Koncesioni i sterilizimit/ Ish-ministrja e Financave, Anila Denaj në SPAK: Sqarova informacionet që kam dijeni

Ish-ministrja e Financave, Anila Denaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) këtë të premte, ku është pyetur në lidhje me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore. Denaj dëshmoi për rreth 2 orë në SPAK.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ish-ministrja tha se dha informacione në lidhje me koncesionin për kohën kur punonte në Ministrinë e Financave.
“Isha për të sqaruar informacionet për të cilat kam dijeni gjatë kohës që kam punuar në Ministrinë e Financave, kur ky koncesion ka qenë në diskutim,” tha Denaj.
Në lidhje me këtë koncesion kanë dëshmuar në SPAK në korrik të vitit 2022 edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish-zëvendësministri Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
SPAK ka nisur hetimet në lidhje me dy tendera në shëndetësi, për sterilizimin dhe check-up. Koncesioni i sterilizimit është denoncimi i parë i bërë në SPAK, i depozituar nga Nisma Thurje më 23 dhjetor të 2019, tre ditë pas themelimit të Prokurorisë së Posaçme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




