Konflikti në parlament, ambasadori britanik apel qeverisë dhe opozitës: Dialogoni!

Ambasadori britanik Alastair King-Smith përjashtoi një ndërmjetësim prej tij apo faktorëve të tjerë për zgjidhjen e krizës në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen e të drejtave parlamentare të opozitës. Në intervistën për emisionin “Pa censurë”, ambasadori britanik u tregua shumë i kujdesshëm për balancat politike, por dha një mesazh të qartë; problemi duhet zgjidhur me dialog nga vetë partitë politike shqiptare. “Ajo që unë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dëshirojmë të shohim është që ata parlamentarë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të gjejnë një rrugë përpara. I inkurajojmë që të dialogojnë me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që duhet të bëjnë për të gjetur rrugën përpara për këto gjëra, pasi nuk u takon ndërkombëtarëve të ndërhyjnë. Kjo bëhet për Shqipërinë dhe është një hap i rëndësishëm në demokracinë e Shqipërisë.”- u shpreh ambasadori, i cili është i kujdesshëm për të mos marrë anë në përplasjet mes demokratëve dhe socialistëve. Dhe megjithëse partnerët janë të qartë për të mos ndërhyrë, ata i dinë pasojat se çfarë sjell konflikti politik tek njerëzit dhe tek ekonomia. “Këto çështje parlamentare duhet të zgjidhen shpejt, përndryshe do të shihni qytetarët që shohin se demokracia nuk funksionon. Ne e dimë nga të rinjtë se ky është një nga faktorët pse ata largohen, e dimë nga biznesi që kjo është një nga arsyet që ata mund të mos investojnë siç e përmendët më herët.”- tha ambasadori britanik në emisionin “Pa censurë” në RTSH.
Pjesë nga intervista e ambasadorit britanik për emisionin “Pa censurë”
Elona Meço: Së fundi, kemi një krizë në parlament, për të cilin ju keni mbajtur një qëndrim. Mua më duket se po qëndroni më të tërhequr se herë të tjerë për të qenë protagonistë, ju dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Pse ndodh kjo?
Ambasadori britanik King-Smith: Unë u takova me zonjën kryetare të parlamentit të mërkurën, Znj, Lindita Nikolla, në fakt edhe me disa nga ish-kryetarët tuaj të Parlamentit në një aktivitet të organizuar nga Westminster Foundation for Democracy dhe po diskutonim rëndësinë se si parlamentarët mund të bashkohen për të vepruar realisht në interes të qytetarëve. Dhe apeli ynë për të gjithë deputetët është që realisht të mendojnë se cilat janë interesat e qytetarëve; politika është ndërmjetësimi i kompromiseve. Ne duam të shohim një parlament efektiv, një demokraci efektive që funksionon realisht në interes të qytetarëve shqiptarë.
Elona Meço: Mesa duket nuk ka pasur shumë efekt ky takim, pasi në seancën e fundit të Kuvendit, u lanë jashtë deputetë të opozitës që nuk ishin të përjashtuar. Ju duket normale kjo? Apo prania e gardës brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit?
Ambasadori britanik King-Smith: U takon si mazhorancës dhe opozitës që të gjejnë një rrugë përpara, për të siguruar që parlamenti të funksionojë realisht, që komisionet të mund të funksionojnë në mënyrë që mekanizmat e parlamentit të mund të funksionojnë, në mënyrë që parlamenti të sigurojë rolin mbikëqyrës që është shumë i rëndësishëm, edhe në mënyrë që qeveria të mbajë përgjegjësi llogaridhënëse, por edhe që shërbimet t’u ofrohen vërtet qytetarëve. Tani do t’u mbetet parlamentarëve shqiptarë që të gjejnë rrugën përpara për këtë….
Elona Meço: Pra ju nuk do të përfshiheni?
Ambasadori britanik King-Smith: Ajo që unë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dëshirojmë të shohim është që ata parlamentarë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të gjejnë një rrugë përpara. Ne sigurisht që do të ofrojmë mbështetje për ta për sa i përket mënyrës se si Fondacioni Westminster për Demokraci dhe partnerët e tjerë mund të ndihmojnë në sjelljen e ekspertizës. Të mërkurën patëm një nga ish-anëtarët tanë më të dalluar të Parlamentit, deputeti John Grogan me ne në ngjarjen e Fondacionit Westminster dhe ai dha reflektimet e tij sesi Partia Laburiste dhe Partia Konservatore kanë arritur të kapërcejnë ndarjet në periudha shumë të vështira në përvojën parlamentare britanike dhe ne shpresojmë se mënyra të ngjashme për të ecur përpara mund të gjenden edhe këtu.
Elona Meço: Ju flisni për mazhorancën dhe opozitën që duhet të dialogojnë. Nga njëra anë opozita e ka pranuar kërkesën për dialog, por mazhoranca e refuzon. Si e shpjegoni këtë refuzim të mazhorancës dhe a keni ju një apel për të, për kryeministrin?
Ambasadori britanik King-Smith: Unë flas me të gjithë deputetët dhe politikanët në Shqipëri, dhe sigurisht përveç një ose dy përjashtimeve me të cilët nuk flasim, por me të gjitha ato parti politike me të cilat ne flasim, dhe jemi të hapur për dialog, i inkurajojmë që të dialogojnë me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që duhet të bëjnë për të gjetur rrugën përpara për këto gjëra, pasi nuk u takon ndërkombëtarëve të ndërhyjnë. Kjo bëhet për Shqipërinë dhe është një hap i rëndësishëm në demokracinë e Shqipërisë. Por këto çështje parlamentare duhet të zgjidhen shpejt, përndryshe do të shihni qytetarët që shohin se demokracia nuk funksionon. Ne e dimë nga të rinjtë se ky është një nga faktorët pse ata largohen, e dimë nga biznesi që kjo është një nga arsyet që ata mund të mos investojnë siç e përmendët më herët.
Elona Meço: Ju thatë që nuk flisni me 1 ose me 2 persona. Zotin Berisha e kuptoj, po tjetri kush është?
Ambasadori britanik King-Smith: Epo ka një numër individësh që janë përjashtuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe/ose nga Shtetet e Bashkuara dhe ne kemi një politikë që padyshim të mos flasim me individë të sanksionuar, por nuk kemi asnjë problem. Ne flasim me çdo parti politike, çdo individ se si mund të luajnë një rol në demokracinë parlamentare.
Elona Meço: A mendoni që do të arrihet së shpejti ky dialog që ju kërkoni, kur, nga njëra anë, në seancën e fundit mazhoranca ndryshoi rregulloren, duke e ashpërsuar atë me përjashtim deri në 2 muaj të deputetëve dhe nga ana tjetër ka prezantuar edhe një nismë për komisionet hetimore, që, i heq pothuajse çdo të drejtë opozitës për të hetuar?
Ambasadori britanik King-Smith: Unë mund t’i ndjej zhgënjimet tuaja për këtë dhe e kuptoj pse është shumë e vështirë për shqiptarët që ta shohin këtë duke ndodhur në Parlament. Në fakt, e shoh që është një gjë shumë zhgënjyese edhe sepse në fakt Shqipëria ka bërë vërtet progres. Nëse shikoni rolin e Shqipërisë ndërkombëtarisht, Shqipëria është tani partneri ynë më i mirë ndërkombëtar, folëm për disa çështje nga ana operacionale. Shqipëria është një partner i shkëlqyer në aspektin operacional, kështu që për ne është vërtet pozitive të shohim Shqipërinë të përparojë në atë mënyrë, por Shqipëria ka ende nevojë të bëjë përparim në demokracinë parlamentare dhe funksionimin e vërtetë të institucioneve dhe luajtjen e rolit të tyre.
Gazetare: Elona Meço
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




