Konflikti për simbolet, PD: Gjykata e Lartë të zbardhë vendimin sa më shpejt

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me deklaratat e “Rithemelimit”, lidhur me pretendimet se kush është përfaqësuesi zyrtar i simboleve të kësaj partie.
Sipas zyrtarëve të lartë të PD-së, pretendimet e Rithemelimit se vendimet gjyqësore i jep KPK dhe jo Gjykata e Lartë, janë “shprehje të dëshpërimit të Foltores në nivele absurde”.
Këtë situatë e zbërthen edhe sekretari i Partisë Demokratike për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa. Sipas tij, arsyetime të tilla janë “si përpjekjet e të mbyturit që të mbahet pas fijes së barit”.
“Dikush duhet t’ua shpjegojë Rithemelimit se vendimi i KPK, jo vetëm që nuk është përfundimtar, por nuk mund dhe nuk ka se si të zgjidhë mosmarreveshjet gjyqësore. Është Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë që i zgjidh këto çështje.”, deklaroi Sefa.
Sipas PD-së, Gjykata e Lartë me vendimin e datës 27.12.23, legjitimoi perfundimisht Partinë Demokratike si palë ankuese në procesin gjyqësor, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij pretendimi dhe duke legjitimuar përfundimisht, jo vetëm vendimin e marrë nga gjyqtarja Blerina Muça, por edhe nga Gjykata e Apelit.
Sefa këmbëgul se ky vendim detyron Gjykatën e Apelit t’i japë përgjigje të gjitha çështjeve të ngritura në ankimin e paraqitur nga ana e Partisë Demokratike.
“Komisioni i Rithemelimit, i cili pretendon mosrespektim të procedurës nga ana e Gjykatës që ka legjitimuar Partinë Demokratike si palë, ka kërkuar vetë në të njëjtën formë që të jetë pjesë e gjykimit të zhvilluar nga gjyqtar, Niko Rrapi, kërkesë e cila iu pranua nga ky gjyqtar.”, analizon Sefa.
Partia Demokratike edhe një herë i kërkon Gjykatës së Lartë që në një kohë sa më të shkurtër të zbardhë vendimin dhe ti japë mundësi Gjykatës së Apelit që të shqyrtojë sa më shpejtë këtë çështje dhe ti japë zgjidhje përfundimtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




