Kongresi i PPE, Këlliçi: Sfidat e ardhshme të Ballkanit Perëndimor, pjesë e diskutimeve

Politikë | 4 vite më parë

Deputeti Belind Këlliçi, po merr pjesë si delegat i forumit rinor EDS në kongresin e PPE në Roterdam për zgjedhjen e Presidentit të ri të kongresit. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Këlliçi bën me dije se në kongresin e Partisë Popullore Europiane është diskutuar rreth sfidave të ardhshme të Ballkanit Perëndimor dhe orientimin europian të vendeve të rajonit. Këlliçi thotë më tej se pjesë e panelit janë presidentja e Institutit Robert Schuman, Sekretari i Përgjithshëm i European Democrat Students, Ivan Botoucharov dhe Tatiana Poliak-Grujic nga Visegrad Insight.

Në fund të muajit mars PPE vendosi të mos ftojë në Kongresin e saj delegacion zyrtar nga PD, deri sa të ketë një zgjidhje përfundimtare të çështjes të përfaqësimit zyrtar të PD-së, por ftoi si delegatë të forumeve europiane 3 deputetë të PD-së: Albana Vokshi, delegate nga Forumi i Gruas i PPE -së; Belind Këllici, delegat nga forumi rinor EDS; dhe Jorida Tabaku, delegate nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

 “Në Rotterdam, i ftuar në kuadër të Kongresit të Partisë Popullore Europiane. Momentalisht po diskutohet rreth sfidave të ardhshme të Ballkanit Perëndimor dhe orientimin europian të vendeve të rajonit tonë. Pjesë e panelit aktual janë Zj. Doris Pack, presidente e Institutit Robert Schuman dhe bashkëpunëtorë e partnerë të tjerë të këtij instituti. Gjithashtu në panel ndodhen Sekretari i Përgjithshëm i European Democrat Students, Z. Ivan Botoucharov dhe Zj. Tatiana Poliak-Grujic nga Visegrad Insight – një platformë analitike dhe debati që gjeneron politika orientuese për Europën dhe partnerët euroatlantikë.

Më herët kisha kënaqësinë të isha pjesëmarrës në tryezën e diskutimit me temë “Lufta ruse dhe efektet e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, me panelistë Z. Christian Schmidt, Përfaqësues i Lartë për Bosnjë-Hercegovinën dhe Zj. Majlinda Bregu, në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Paneli i të ftuarve moderohej nga Z. Patrick Voller, Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Popullore Europiane”, shkruan Këlliçi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme