Kongresi i PPE në Roterdam, Manfred Weber zgjidhet kryetari i ri! PD nuk mori pjesë në votim

Manfred Weber është zgjedhur kreu i ri i Partive Popullore Europiane. Delegatët, në kongresin në Roterdam, votuan për 49-vjeçarin, i cili ishte kandidati i vetëm për të pasuar Donald Tusk. Weber u shpall fitues me 89% të votave, ndërsa në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh, ai falënderoi bashkëpartiakët e tij për mbështetjen.
“Të jemi të sinqertë, nuk jemi në momentin më të mirë të historisë sonë. Si mund të fitojmë votën e të rinjve? Si të bëjmë dallimin midis populistëve të djathtë dhe qendrës liberale? Është një sfidë dhe lufta duhet të fillojë këtu sot në Roterdam”, tha ai.
Weber përballet me detyrën për të udhëhequr aleancën e 81 partive anëtare të profilizuara ndryshe drejt një unitet më të madh. Në Parlamentin Evropian, familja e partisë konservatore mban një të katërtën e vendeve.
Për herë të parë që kur është anëtarësuar në këtë organizatë politike europiane, PD nuk votoi për të zgjedhur kryetarin e saj. Shkak u bë përçarja e PD, ku PPE, duke dashur që të mos mbajë anë dhe të mos përfshihet në konfliktin e brendshëm në parti, nuk ka dërguar asnjë ftesë për asnjërën palë.
Në Rotermdam u ftuan si delegatë të forumeve europiane 3 deputetë të PD-së: Albana Vokshi, delegate nga Forumi i Gruas i PPE –së; Belind Këllçi, delegat nga forumi rinor EDS; Jorida Tabaku, delegate nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. E vetmja që votoi ishte Tabaku, si përfaqësuese e asambleve parlamentare.
Ndërkohë, ditën e nesërme, PPE do të zgjedhë 10 nënkryetarët e saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




