Konsensusi PS-PD, Bykykbashi: I pavlerë, synojnë opozitën marionetë dhe Presidentin kukull

Politikë | 5 vite më parë

Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në një deklaratë për media ka reaguar me tone të ashpra ndaj marrëveshjes së kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj me mazhorancën, për propozimin e emrit të kandidatit për president në dy raundet e ardhshme, gjatë takimit mes përfaqësuesve të Grupeve Parlamentare të mbajtur më 18 maj. Sipas përfaqësuesit të Komisionit të Rithemelimit, opozita nuk ka nevojë për marrëveshje që të propozojë kandidatë për president, pasi këtë të drejtë sipas tij, ua jep Kushtetuta.

“Dje më 18 maj 2022, pesë vite më pas, u shpall një marrëveshje e re. Taulant Balla i dha të drejtën deputetit Alibeaj që të propozojë kandidatë për President në raundin e dytë dhe të tretë. Me këtë akt Rama kërkon që kandidatin e tij te preferuar ta sjellë opozita e caktuar prej tij dhe ajo t’i sigurojë 84 votat për ta shitur si president konsensual.  Me marrëveshjen e djeshme Alibeaj ka marrë përsipër t’ia sigurojë këtë.  Alibeaj pranon që Partia Socialiste të caktojë edhe opozitën, por edhe sa herë ka të drejtë opozita të propozojë kandidatë për president.  Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Taulant Balla për llogari të Ramës dhe pa asnjë tagër ka thirrur deputetët e Partisë Demokratike që të legalizojë marrëveshjen e tj personale me Ballën, marreveshje që i siguron Edi Ramës një president kukull me veshje konsensualiteti kallp.  Deputetët e Partisë Demokratike janë të ndërgjegjshëm që përfaqsojnë vullnetet e demokratëve të shprehura nga organet e tyre më të larta përfaqsuese dhe jo vullnete dhe pazare personale. Opozita nuk ka nevojë marrëveshje për të propozuar kandidatë sepse kjo e drejtë është në Kushtetutë. Partia Demokratike e ka përcaktuar qëndrimin e saj të qartë dhe konstruktiv me rezolutë të Këshillit Kombëtar. Partia demokratike e denoncon këtë marrëveshje të pavlerë si një akt që synon të krijojë një opozitë marionetë dhe t’i dorëzojë presidentin Edi Ramës”, deklaron Bylykbashi.

Deputeti demokrat teksa shpreh qëndrimin e PD, denoncon marrëveshjen e Alibeajt me mazhorancën si të pavlerë. Teksa kujton marrëveshjen e 18 majit të 2017 mes ish-kryedemokratit Lulzim Basha dhe Kryeministrit, Bylykbashi i thekson se ky akt synon krijimin e një opozite marionetë dhe vendosjen e një presidenti kukull.

“Më 18 maj 2017, Basha i fali Ramës zgjedhjet duke pranuar që të mos përdorej koalicioni. Rama ia kërkoi heqjen e koalicionit që ta lejonte Bashën të dilte nga çadra e të hynte në zgjedhje dhe Basha e pranoi marrëveshjen. Presidenti i shqiptarëve duhet të jetë përfaqësuesi real i unitetit të popullit, që vjen nga vullnete përfaqësuese politike bazuar në vote, dhe jo një kukull e një marrëveshje vasaliteti të lidhur në përvjetorin e pestë të një marrëveshjeje famëkeqe”, thotë Bylykbashi.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme