Kontrollet në kampin e MEK, Berisha në “Publikisht”: Një akt pothuajse terrorist, kërkoj hetim ndërkombëtar

“Një akt pothuajse terrorist”, kështu i ka konsideruar ish-kryeministri Sali Berisha kontrollet e policisë në kampin e MEK këtë të martë (20 qershor)
Në një intervistë në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Berisha nuk e mohoi që brenda në kamp mund të ketë përfaqësues të grupeve terroriste, por theksoi se dënon aksionin e policisë, që e konsideroi të dhunshëm.
Berisha bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
“Një sulm në një kamp me breshëri dhe me të vdekur është një akt pothuaj terrorist. Nuk përjashtoj asnjë mundësi që brenda atij grupi të ketë përfaqësues të Iranit, përfaqësues të grupeve terroriste të tjera, por dënoj me ashpërsi një sulm në të cili thuhet se ka 25 të lënduar dhe 1 apo disa të vdekur. Kërkoj hetim ndërkombëtar për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje. Çfarëdo të ishte, nuk mund të shkohej në këtë mënyrë sepse ata kanë rregullat e tyre. Kam dyshime, ka patur një spekulim me sulmet kibernetike iraniane. A kanë qenë ato reale? Po, jam i bindur se regjimi i iranian ka marrë sulme kibernetike ndaj Shqipërisë. Por kam bindje absolute që sulmet kibernetike kundër sistemeve të Shqipërisë i bënë njerëzit e administratës shqiptare para iranianëve”, tha Berisha.
Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë “si diktatore” në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i hodhën poshtë në mënyrë kategorike këto pretendime.
Në një konferencë për shtyp, Çuçi tha se në fakt kanë qenë anëtarët e MEK ata që kanë dhunuar efektivët, veprime që ai i cilësoi si të papranueshme.
Po ashtu edhe Rrumbullaku theksoi se efektivët janë treguar të vetëpërmbajtur dhe se ata kanë përdorur vetëm spraj, pa shkaktuar lëndime, për të neutralizuar anëtarët e MEK, të cilët po kundërshtonin operacionin e policisë. Rrumbullaku tha po ashtu se ata kanë tentuar edhe të asgjësojnë provat duke i djegur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




