Kontrollet në kampin e MEK, Policia publikon pamjet

Aktualitet | 3 vite më parë

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet ku dokumentohen kontrollet e kryera këtë të martë (20 qershor) në kampin e MEK. Në videon  e publikuar shihen anëtarët e MEK të cilët rrethojnë automjetet e policisë, duke shtyrë efektivët, të cilët po zbatonin vendimin e Gjykatës për të ushtruar kontrolle në kamp.

Po ashtu, në pamjet  e publikuar shihet edhe një anëtar i MEK i cili djeg disa dokumente. Në një moment, një pjesë prej tyre i dalin para edhe një makine të policisë, duke e penguar atë që të lëvizë.

Anëtarët e MEK kanë pretenduar për dhunë nga efektivët, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i hodhën poshtë në mënyrë kategorike këto pretendime.

Në një konferencë për shtyp, Çuçi tha se në fakt kanë qenë anëtarët e MEK ata që kanë dhunuar efektivët, veprime që ai i cilësoi si të papranueshme.

Po ashtu edhe Rrumbullaku theksoi se efektivët janë treguar të vetëpërmbajtur dhe se ata kanë përdorur vetëm spraj, pa shkaktuar lëndime, për të neutralizuar anëtarët e MEK, të cilët po kundërshtonin operacionin e policisë.  Rrumbullaku tha po ashtu se ata kanë tentuar edhe të asgjësojnë provat duke i djegur.

Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.

Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme