Kontrolli në kampin e MEK/ Gjokutaj: Policia përdori dhunë dhe gaz lotsjellës, një person humbi jetën

Aktualitet | 3 vite më parë

Avokati i muxhahedinëve, Genc Gjokutaj në një deklaratë për mediat, bëri me dije se një person ka humbur jetën si pasojë e dhunë së ushtruar nga policia në aksionin e ndërmarrë në kampin e MEK në Manzë.

Gjokutaj e konsideroi sjelljen e Policisë si të pajustifikuar, ndërsa theksoi se do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të flasë në lidhje me humbjen e jetës së banorit të Ashrafit.

Gjokutaj u shpreh më tej se, policia ka përdorur dhunë dhe ka hedhur gaz-lotsjellës ndaj banorëve në kamp. Ai shtoi se fakti që nuk ka asnjë arrestim nga ana e policisë, tregon se nga ana e banorëve nuk ka pasur asnjë dhunë.

“Flitet për një procedim penal të nisur nga SPAK. Ësht ardhur në kamp dhe këtu ka filluar konflikti dhe debati. Nga kampi pretendohet dhunë, fakt është që është përdorur gazlotsjellës. Rezultat i aksionit është një i vdekur që mendojmë se ka vdekur nga gazi lotsjellës, ka hematoma në ballë. Pritet ekspertiza mjekoligjore. Policia nuk ka kryer asnjë arrestim çka vërteton se nga ana e banorëve nuk ka patur dhunë.

Kjo është situata. Jemi duke ndjekur. Në fund do konkludojmë pas raportit të policisë dhe ekspertizës mjeko-ligjore. Fakti që policia e mohon është dhe më e rëndë se ngjarja fakti është se këtu do nisë  një hetim. Ka një të vdekur dhe një vendngjarje. Ka ndodhur një akt-dhune. Janë sekuestruar kompjutera, dokumentacione. Të lihet një inventar, sa lekë janë marrë. Këtu kanë ardhur kanë bërë bastisje. Këtë informacion e kam të qartë. Ka një vendim gjykate për kontrollin.

Policia duhet të dalë me një komunikatë sepse është ajo e zonja e këtij sebepi. Jemi ne që do njihemi me aktet për një informacion të saktë.

Nuk është thirrru askush nga personat. Çfarëdo të konkludojë gjykata, pjesa ekzekutive ka shkaktuar këtë dhunë.

Ata mund ta zgjidhnin në një formë tjetër, jo në këtë formë. Askush se ka penguar policinë dhe gjykatën të bëjë arrestime nëse ka përgjegjës.

Ky është objekt i rëndësisë së veçantë. Sjellja e policisë sot është e pajustifikuar, disa persona janë marrë në mbrojtje nga shteti jonë dhe u dhunuan po nga shtetit jonë”, tha Gjokutaj.

Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.

Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve.

Ministria e Brendshme ka reaguar mbi këto akuza, duke bërë me dije se nuk ka humbje jete dhe as të lënduar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme