Korçë, AKU bllokon mish pa vulë dhe çertifikatë veterinare

Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në bashkëpunim me Krimin Ekonomik Korçë, kanë ushtruar kontroll dhe kanë ndaluar mbrëmjen e së premtes një individ, i cili transportonte me automjet tip kamionçinë, mish lope pa vulë dhe pa çertifikatë veterinare.
Lajmi u njoftua në rrjetet sociale nga vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Automjeti me të cilin transportohej mishi nuk plotësonte kushtet higjieno-sanitare për transportin e produkteve me origjinë shtazore.
Personi përgjegjës nuk ishte i regjistruar në organet përkatëse për të kryer tregtimin dhe transportin me mjet frigoriferik të mishit.
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese e AKU-së, vendosi masë administrative “gjobë” në vlerën e 600’000 lekë dhe bllokim i mishit me destinacion asgjësimin.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët, se po vijon pandërprerë kontrollet në terren në garantim të sigurisë ushqimore, thekson njoftimi.
Task Forca për Sigurinë Ushqimore është në territor në të 12 qarqet e vendit në mbikqyrje të operatorëve të biznesit ushqimor të prodhimit, përpunimit, magazinimit dhe tregtimit. “Punë e përditshme për siguri ushqimore të shtuar dhe mbrojtje të shëndetit për konsumatorët tanë, pushuesit vendas e të huaj” shkruan ministrja e bujqesisë dhe zhvillimit rural Frida Krifca.
/ rtsh. al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




