Korçë, Berisha: Rroga e shqiptarëve, këto 8 vite, ka më pak vlerë se në vitin 2013

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i “Rithemelimit” të PD-së, Sali Berisha, ka prezantuar të shtunën kandidaten e dalë nga “Primaret” për Bashkinë Korçë, Ledina Alolli. Në fjalën e tij, Berisha ka theksuar se vendi po përballet me kohëra të vështira dhe se ka nevojë për vendime të zgjuara. Sipas tij, zgjedhjet e 14 majit, tejkalojnë të gjitha zgjedhjet që janë zhvilluar deri tani.

“Ne shkojmë drejt fushatës së zgjedhjeve lokale dhe sot kam nder dhe kënaqësi të veçantë të paraqes para jush, kandidaten e PD-së për kryetare të Bashkisë Korçë, me bindjen se paraqes një zonjë të nderuar, fisnike, nënë, bashkëshorte, intelektuale që mishëron vetitë, dhuntitë më të mira të korçareve, zonjave, zonjushave, grave fisnike të këtij rrethi, qyteti. Kam bindjen se Ledina Aliolli, ka të gjithë dhembshurinë, përkushtimin, dashurinë për qytetarët e Korçës, sokaket, tregun, fermerët, për Korçën në tërësi dhe me besimin tuaj, ajo do të shkrijë të gjithë energjitë e saj për ta merituar atë besim”- tha Berisha.

Sipas tij, këto zgjedhje, për nga rëndësia, tejkalojnë të gjitha zgjedhjet që janë bërë deri sot, pas atyre të 22 marsit 1992. Berisha theksoi se shqiptarët këto 8 vite marrin një rrogë më me pak vlerë se në vitin 2013, vit në të cilin vendi ynë doli në krye të rajonit për rroga dhe pensione.

“Çdo kryeministër, po të kishte ndjenjë më të vogël të respektit për mundin e familjeve shqiptare, do ti rriste tre herë rrogat krahasuar me 2013. Çfarë bëri Edi Rama? Rriti borxhin 43%, 10 herë më shumë seç e rritëm ne. Borxhi është 107%. Ku shkuan? U kthyen në rroga? Infrastrukturë? Jo, u kthyen në mallkim për shqiptarët sepse duke u varfëruar çdo ditë e më shumë, morën rrugën e kurbetit.”,- tha Berisha.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme