Korçë- Certifikata e vaksinimit, kusht për regjistrimin në kopshte e çerdhe

Në 15 institucione parashkollore që ndodhen në qytetin e Korçës për të kryer regjistrimin e fëmijëve është kusht kryesor dorëzimi i çertifikatës së vaksinimit.
Përpos dokumentave të tjera të nevojshme për regjistrimin e fëmijës në çerdhe apo në kopësht, prindërit duhet të marrin certifikatën e vaksinimit pranë qendrave shëndetësore, e cila vërteton se fëmija i ka kryer të gjitha vaksinat sipas kalendarit shqiptar të vaksinimit.
Në kopështin nr 6 në qytetin e Korçës edukohen 48 fëmijë, të cilët kryesisht vijnë nga komuniteti rom. Sipas edukatoreve, edhe në këtë kopësht është aplikuar rregulli për certifikatën e vaksinimit në prag të regjistrimit të fëmijëve.
Në rastet kur fëmija ka vaksina të pabëra, në bashkëpunim me pediatrin e qendrës shëndetësore merren masa për kryerjen e tyre.
Sipas informacioneve nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Korçë rreth 360 fëmijë të moshave 1 vjeç dhe 5 vjeç, ende nuk e kanë kryer vaksinimin apo rivaksinimin mmr, që i mbron nga sëmundjet e fruthit, rubeolës e shytave.
Këta fëmijë janë mjaft të rrezikuar tashmë që rastet e para të fruthit janë shfaqur në vendin tonë.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




