Koreja e Veriut emëron për herë të parë një grua si Ministre të Jashtme

Botë | 4 vite më parë

Koreja e Veriut ka emëruar për herë të parë një grua si Ministre e Jashtme. Diplomatja Choe Son Hui u emërua në një takim plenar të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë nga 8-10 qershor, i mbikëqyrur nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Choe është vajza e ish-kryeministrit të Koresë së Veriut Choe Yong Rim. Ajo u shfaq për herë të parë në media në vitin 1997 si përkthyese për delegatët e Koresë së Veriut në negociatat bërthamore me fqinjët e saj dhe iu bashkua sërish negociatave gjatë bisedimeve në vitet 2000.

Emërimi i saj vjen në një kohë tensionesh në Gadishullin Korean pasi Koreja e Veriut rrit në mënyrë agresive programin e saj të testimit të armëve bërthamore në kundërshtim me sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Koreja e Veriut ka kryer 17 lëshime raketash vetëm këtë vit, duke përfshirë dy teste të suksesshme të raketave balistike të supozuara ndërkontinentale.

Koreja e Jugut dhe SHBA bënë një shfaqje ajrore të forcës ndaj Koresë së Veriut gjatë kësaj jave duke ngritur në ajër 20 avionë luftarakë mbi ujërat në perëndim të Gadishullit Korean si përgjigje ndaj testeve të fundit raketore të Phenianit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme