Koreja e Veriut vazhdon manovrat ushtarake në kufirin detar me Korenë e Jugut

Botë | 3 vite më parë

Koreja e Veriut gjuajti të shtunën me predha artilerie pranë kufirit të diskutueshëm detar me Korenë e Jugut për të dytën ditë radhazi, njoftoi komanda ushtarake në Seul e Koresë së Jugut.

“Rreth 60 predha u hodhën në det nga bregu perëndimor i Koresë së Veriut”, tha në një deklaratë shtabi i përgjithshëm i Koresë së Jugut.

“Predhat ranë përsëri në një zonë ushtarake në Detin e Verdhë”, tha komanda, duke censuruar veprimet e shtetit fqinj.

“Ne paralajmërojmë Korenë e Veriut kundër zjarrit të mëtejshëm të artilerisë në zonën detare”, shtoi komanda.

Të premten, të dy vendet zhvilluan manovra ushtarake me artileri në zonën kufitare.

Koreja e Veriut tha më vonë se manovrat e saj ishin një reagim ndaj stërvitjes së Koresë së Jugut në kufi në ditët e fundit.

Zona përreth kufirit detar ishte skena e përleshjeve të përsëritura të së kaluarës midis anijeve luftarake të të dy vendeve.

E ashtuquajtura Linja e Kufirit Verior (NLL), vija e demarkacionit detar në Detin e Verdhë e tërhequr në mënyrë të njëanshme nga Kombet e Bashkuara pas Luftës Koreane të viteve 1950-1953, nuk njihet nga Koreja e Veriut.

Tensionet në gadishullin Korean janë rritur sërish muajt e fundit. Pas një serie të paprecedentë testesh raketore në vitin 2022.

Koreja e Veriut testoi disa herë raketa me aftësi bërthamore vitin e kaluar në kundërshtim me rezolutat e OKB-së për ndalimin.

Si përgjigje, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës kanë zgjeruar manovrat e tyre të përbashkëta ushtarake.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme