Korrupsioni në Algjeri, deri në tetë vjet burg për tre ish-presidentë të Federatës së Futbollit

Futboll Bota | 33 minuta më parë

Një gjykatë algjeriane dha sot dënime me burgim, që variojnë nga gjashtë deri në tetë vjet, për tre ish-presidentë të Federatës Algjeriane të Futbollit (FAF), pasi i shpalli fajtorë për akuza që lidhen me korrupsionin.

Këtë e bënë të ditur për agjencinë ANSA burime të pranishme në sallën e gjyqit në gjykatën “Sidi M’Hammed” në Algjer. Konkretisht, gjykata dënoi me nga tetë vjet burg Kheireddine Zetchin – i cili drejtoi FAF-in nga marsi 2017 deri në prill 2021 – dhe Charaf-Eddine Amaran, president nga prilli 2021 deri në korrik 2022.

Djahid Zefizef, i cili e drejtoi federatën nga korriku 2022 deri në korrik 2023, u dënua me gjashtë vjet burg. Të treve iu caktua gjithashtu një gjobë prej një milioni dinarësh algjerianë (6.666 euro).

Çështja ka të bëjë me korrupsionin që lidhet me një kontratë me markën gjermane të veshjeve sportive “Adidas” – furnizuesi i uniformave për ekipet kombëtare të Algjerisë – si dhe me marrëveshje të lidhura me një kompani tuniziane.

Akuzat ndaj të pandehurve përfshijnë shpërdorimin e detyrës për të siguruar përfitime të pajustifikuara, nënshkrimin e kontratave në shkelje të rregulloreve në fuqi, si dhe përvetësimin ose devijimin e fondeve publike.

Në të njëjtin proces gjyqësor, ku ishin përfshirë gjithsej 19 të pandehur, gjykata dënoi dy ish-sekretarë të përgjithshëm të federatës dhe një ish-drejtor administrativ me nga tre vjet burg dhe një gjobë prej një milioni dinarësh.

Të pandehur të tjerë morën dënime me burgim që variojnë nga dy deri në pesë vjet, ndërsa disa të tjerë u shpallën të pafajshëm.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme