‘Është çështje kohe’, Izraeli paralajmëron sulm të ri ndaj Iranit

Botë | 34 minuta më parë

Një zyrtar izraelit ka deklaruar se një raund i ri sulmesh kundër Iranit është vetëm çështje kohe, duke u shprehur se Teherani po nxiton të riaktivizojë dhe të fortifikojë programin e tij bërthamor nga frika e një goditjeje të mundshme.

Një zyrtar izraelit, i cituar nga media rajonale, deklaroi se Teherani po nxiton të riaktivizojë dhe të fortifikojë programin e tij bërthamor nga frika e një goditjeje të mundshme.

Sipas tij, objektivi kryesor i vëzhgimit është zona e njohur si “Mali i Kazmës”, pranë kompleksit bërthamor të Natanzit, ku edhe vëzhguesit e OKB-së kanë konstatuar aktivitet ndërtimi.

Zyrtari izraelit theksoi se vendi i tij është i gatshëm të veprojë “në çdo moment”, qoftë në koordinim me Shtetet e Bashkuara apo i vetëm, nëse Irani kalon “vijat e kuqe”.

Ai shtoi se presioni ekonomik dhe përçarjet e brendshme në Iran mund ta shtyjnë regjimin drejt reagimeve ushtarake në rajon.

Sanksionet e reja amerikane kanë goditur rëndë ekonominë iraniane. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i përshkroi ato si një “operacion masiv ekonomik” për të ndërprerë burimet financiare të regjimit. Si pasojë, disa vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Omani, Iraku dhe Katari kanë kufizuar ose pezulluar fluturimet me Iranin, duke izoluar më tej linjat ajrore iraniane.

Ndërkohë, bisedimet e tërthorta mes SHBA-së dhe Iranit në Nju Jork nuk sollën rezultat. Zyrtari izraelit u shpreh se nuk sheh mundësi reale për marrëveshje, duke akuzuar Teheranin për zvarritje dhe për llogaritje politike mbi zhvillimet në Uashington dhe Tel Aviv.

Nga ana tjetër, zyrtarë iranianë paralajmëruan se çdo sulm i ri do të sillte një përshkallëzim më të gjerë. Zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Hossein Mohebi, tha se Teherani do të ndryshonte “gjeografinë e luftës dhe llojin e armëve” në rast goditjeje. Këshilltari i Udhëheqësit Suprem, Yahya Rahim Safavi, la të kuptohej se konflikti mund të zgjerohej përtej Oqeanit Indian.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme