Kosova lejon makinat me targa serbe. Pas aplikimit në territorin serb, qeveria e Prishtinës ndez “dritën jeshile”

Pak ditë pasi Beogradi aplikoi edhe në terren premtimin për të lejuar makinat me targa të Kosovës në territorin e Serbisë, Qeveria e Kosovës ka bërë të njëjtën gjë për makinat me targa serbe, duke i lejuar ato të qarkullojnë në territorin e saj me targa serbe të pambuluara duke respektuar reciprocitetin që kryeministri Albin Kurti e kërkon në vazhdimësi.
Pas vendimit të Prishtinës zyrtare, tensionet mes dy vendeve pritet që të ulen ndërsa qeveria e Kosovës thekson në një deklaratë zyrtare se “heqja e regjimit të letër ngjitëseve është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.
Marrëveshja për lejimin e makinave me targat e dy vendeve ishte arritur në vitin 2011, por Serbia nuk e lejonte aplikimin në territorin e saj duke u bindur përfundimisht në 25 dhjetor të vitit të kaluar dhe fillimisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se do të priste aplikimin në terren nga ana e Beogradit duke u shfaqur skeptik fillimisht.
Mbulimi i simboleve të Serbisë dhe të Kosovës në targat e makinave ishte reflektim i marrëveshjes të përkohshme të arritur më 30 shtator të vitit 2021 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, marrëveshje kjo që pasoi tensionet në veriun e Kosovës që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë që të mos lejojë lëvizjen e makinave me targa Serbe.
Gjithsesi, pavarësisht aplikimit të marrëveshjes për targat, Beogradi këmbëngul se kjo masë lidhet me lëvizjen e lirë të makinave por nuk ka asnjë lidhje me negociatat mes palëve për çështje të tjera më thelbësore.
Gazetar: Olsi Karagjozi
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




