“Kosova realitet”/ Presidenti kroat: Serbia në pozitë politike skizofrenike, Begaj: Liderët e Ballkanit të sillen si shtetarë

“Kosova” është një nga çështjet që si presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç kanë dakordësi dhe asnjë dyshim.
“Kosova është realitet. Është e pavarur dhe sovrane”
Në konferencën e përbashkët për median, Presidenti Milanoviç u shpreh i bindur se Kosova në një të ardhme jo të largët do të njihet nga të gjitha vendet e BE-së, ndërsa Serbia nga ana e saj duhet të sqarojë pozicionin e saj politik, me Rusinë apo me BE-në.
“Kosova është një realitet. Numri më i madh i vendeve të BE-së dhe NATO e kanë pranuar. Nëse pyet ata që nuk e kanë pranuar, pse nuk e kanë bërë nuk dinë të arsyetojnë qëndrimin e tyre. Kroacia e ka pranuar Kosovën. Do të bëjmë çdo gjë që mundemi, asnjëherë me synimin për provokimin e Serbisë, por duam të bindim që ky është realitet. Është realitet që Kosova është pjesë e Europës dhe në një të ardhme jo të largët do të njihet edhe nga të gjitha vendet e BE-së e që tani Serbia gjindet një pozitë politike skizofrenike. Nga njëra anë kanë fantazi në raportet me Rusinë, ku Serbia është thjesht një etiketë e vogël dhe pretendojnë të hyjnë në Europë” tha presidenti kroat Milanoviç.

Në foto: Pritja e presidentit Begaj në Kroaci
Mënjanë retorikat
Edhe presidenti Begaj bëri thirrje që liderët e Ballkanit Perëndimor të lënë mënjanë retorikat e konfliktit dhe të sillen si shtetarë.
“Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të sillen jo si politikanë por shtetarë. Ka nevojë që njerëzit duhet të kuptojnë që të lënë mënjanë retorikat boshe dhe nacionaliste që nuk i shërbejnë askujt veç rritjes së tensioneve në vendin tonë.
Për mua si president i republikës së Shqipërisë Kosova është i një interes madhor. Shteti i Kosovës është sovran, i pavarur dhe se integriteti territorial i Kosovës nuk mund të vihet në dyshim. Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë e ka vendosur, kjo nuk është çështje dëshire apo individësh. Individët duhet të lënë mënjanë retorikën e konflikteve dhe të ndërtojnë një shoqëri të Ballkanit Perëndimor ku njerëzit të jetojnë në paqe, stabilitet dhe siguri.
Ka aktorë të tjerë të cilët janë të përfshirë dhe duan të përfshihen në rajon, diku më shumë a më pak që duan të cënojnë apo futin pengesa në rrugëtimin e rajonit drejt BE-së por nuk mendoj se do ia arrijnë pasi rajoni politikisht dhe publikisht ka një qëllim të qartë në rrugën drejt BE-së” tha presidenti Begaj.

Në foto: Pritja e presidentit Begaj në Kroaci
Vizita
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj ndodhet sot në Kroaci me ftesë të Presidentit të Republikës së Kroacisë, z. Zoran Milanoviç në kuadër të intensifimit të partneritet strategjik.

Në foto: Pritja e presidentit Begaj në Kroaci
Ai u prit me
Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidenti Begaj do të pritet në takime të veçanta nga Kryeministri i Kroacisë, Z. Andrej Plenkoviç, si dhe Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Z. Gordan Jandrakoviç.
Gjatë qëndrimit në Kroaci, kreu i shtetit do të zhvillojë edhe një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare.

Në foto: Pritja e presidentit Begaj në Kroaci
Më 28 prill 2023, nën shoqërinë e mikpritësit, Presidentit të Kroacisë Milanoviç, Presidenti Begaj do të vizitojë e takohet me Arbanasit e Zarës (Zadarit).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



