Krifca: Blegtoria shqiptare është në proces të rëndësishëm ristrukturimi

Ekonomi | 3 vite më parë

Blegtoria shqiptare është në proces të rëndësishëm ristrukturimi, ku fermat e vogla po ia lënë vendin fermave të mëdha, ndërsa  mbështetja e qeverisë për këtë sektor është intensifikuar me grante dhe trajnime.

Të enjten në Ditën Ndërkombëtare të Qumështit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca  tha se vendi “Sot ka më shumë se 110 mijë ferma të cilat mbarështojnë gjedhin dhe më shumë se 58 mijë ferma të cilat mbarështojnë të imtat në shkallë vendi”. 

Zonja Krifca tha se sektori është në moment të rëndësishëm ristrukturimi ku fermat e vogla blegtorale me një apo dy gjedhë po i lenë vendin fermave me më shumë se sa 10 krerë.

Ajo shprehu angazhimin e qeverisë për rritjen e mbështetjes ndaj blegtorisë dhe blegtorëve. “Gjatë vitit 2023, ne do të mbështesim blegtorinë shqiptare për të gjithë bletoret që kanë aplikuar për skemën e vitit 2023. Kështu parashikojmë që gjatë këtij viti të mbështesim më shumë de 8500 aplikime gjedhi dhe të imtash. Ne po aplikojmë vaksinimin falas në blegtori ku parashikojmë 511 mijë vaksinime dhe testime të të imtave dhe gjedhit” tha ministrja Krifca.

Ajo tha se së bashku me partnerët e BE-së po punohet për të aplikuar në të gjithë vendin identifikimi elektronik i gjedhit, si një mundësi për t’i hapur rrugën eksporteve të produkteve shqiptare drejt BE-së.

Ndërkohë që përmes Skemës Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi dhe Blegtori kanë përfituar trajnim më shumë se 200 blegtorë për rritjen e aftësive profesionale të tyre dhe këtë vit, pritshmëritë janë që dija të shkojë më pranë fermerëve me krijimin e 12 fermave blegtorale model, të cilat do të ofrojnë mundësi për zhvillimin e praktikave më të mira të mbarështimit.

/ rtsh. al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme