Krifca: Kontrolli i pesticideve tek bimët sipas standardeve të BE-së, garantojmë cilësinë e prodhimit bujqësor

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, gjatë takimit që zhvilloi me fermerë të fshatit Hoxhaj në Poliçan, u ndal në serrat me perime, për të ndjekur nga afër kontrollin e pesticideve tek bimët, në zbatim të strategjisë për sigurinë ushqimore.
“Po intensifikojmë punën tonë në drejtim të zbatimit të praktikave më të mira europiane, në drejtim të kontrollit tek bimët, prodhimi bujqësor, që garantojnë standarde të larta të sigurisë ushqimore në vend. Bashkë me agronomët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, jemi duke mbikqyrur e udhëzuar fermerët në fermat e serrave. Po shohim zbatimin e praktikave të mira të prodhimit edhe në plotësimin e regjistrit të përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve, apo fletores së fermerit”, tha Krifca.
Krifca e vuri theksin në rëndësinë e prodhimit bujqësor sipas standardeve të sigurisë ushqimore. “Është e rëndësishme të prodhojmë duke zbatuar standardet e sigurisë ushqimore, çka na lejon një gjurmim efikas të zinxhirit ushqimor. Kështu garantojmë standarde të larta për konsumatorët dhe garanci të eksporteve shqiptare që fillojnë pikërisht tek trajtimi i tokës dhe i bimëve me synim rritjen e cilësisë, vlerën e prodhimit bujqësor shqiptar dhe të ardhurat e fermerëve tanë”, deklaroi Krifca.
Ministrja ndau me fermerët e Hoxhajt edhe një rekomandim mbi Portalin e Fermerit, ku gjenden informacione të vlefshme mbi aktivitetin e tyre bujqësor. “Portalin e fermerit duhet ta keni në telefonin tuaj. Është një instrument shumë i rëndësishëm që kemi ndërtuar si politikë të MBZHR për t’i dhënë transparencë çmimeve të produkteve bujqësore. Aty duhet te ndiqni çdo ditë të dhënat për çmimet e produkteve që ofrohen nga disa tregje të rëndësishme dhe ju orientojnë ju për ta shitur prodhimin me çmimin më të leverdishëm. Gjithashtu aty merrni të dhëna mbi skemat e mbështetjes, këshillim për punët në bujqësi, etj”, tha Krifca.
Ministrja premtoi për më shumë mbështetje dhe investime që nxisin prodhimin bujqësor vendas dhe ekonominë rurale.
“Politika jonë me mbështetjen që i ka dhënë ndërtimit të pikave të grumbullimit, qoftë në zgjerimin e kapaciteteve apo standardeve që sigurojnë seleksionimin e produkteve cilësore dhe paketimin e tyre që të shkojnë në eksporte, ka dhënë rezultatet e duhura, pasi ka lidhur direkt produktin nga ferma në pikën e grumbullimit me tregjet ndërkombëtare”, tha Krifca.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




