Krimet ndaj të miturve dhe dhuna në familje, kërkohet heqja e të drejtës së gjykimit të shkurtuar për autorët

Aktualitet | 4 vite më parë

Përveç personave të dënuar me burgim të përjetshëm, edhe individët që kryejnë krime ndaj viktimave të mitur, si dhe ata që akuzohen për veprën penale dhunë në familje, nuk do të mund të kërkojnë ulje me 1/3 e dënimit.

Qeveria shqiptare, në mbledhjen e sotme, nëpërmjet një projektligji për ndryshim në “Kodin Penal”, ka ashpërsuar dënimet duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.

Kjo masë garanton që personat që ushtrojnë dhunë në familje dhe krime kundër fëmijëve, nuk do të kenë mundësi të përfitojnë ulje dënimi, duke kërkuar gjykim të shkurtuar.

Ndryshimi në Kodin Penal ka si qëllim  ndalimin e aplikimit të institutit të gjykimit të shkurtuar për personat mbi të cilët është ngritur një akuzë për një vepër penale të kryer ndaj fëmijëve apo për personat që kryejnë dhunë në familje.

Nëpërmjet këtij projektligji bëhet shtimi i parashikimit të posaçëm në paragrafin e dytë, mbi ndalimin e zbatimit të gjykimit të shkurtuar për personat që kryejnë një vepër penale ndaj fëmijëve, si dhe kryejnë dhunë në familje.

Ky parashikim vjen në kuadër të parandalimit të përgjithshëm me qëllim uljen e kriminalitetit ndaj fëmijëve dhe dhunës në familje, duke shmangur uljen e dënimit automatik të dënimit. Individualizimi i dënimit i takon gjykatës mbi caktimin e masës së dënimit brenda kufinjëve ligjor.

Nuk do të mund të kërkojnë ulje dënimi personat që akuzohen për rrahje, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij. 

Akuzat për dhunë në familje ku kërkohet të mos aplikohet ulja me 1/3 e dënimit

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.

/rtsh.al/ a.meta/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme