Kritere të reja për certifikimin e agroturizmit, fermave bujqësore, strukturave akomoduese për qëllime turistike

Agroturizmi, bujtinat, fermat bujqësore etj., do të kenë kritere të reja për certifikimin e veprimtarive, si dhe ndërtimin e strukturave ose objekteve në funksion të tyre.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kanë bërë një seri ndryshimesh në ligjin “Për turizmin”, ku në epiqendër është agroturizmi.
Të dyja ministritë kanë detajuar të gjitha kriteret që duhen plotësuar duke filluar që nga ambient për përpunimin e produkteve bujqësore; përpunimin e produkteve blegtorale; strukturën akomoduese si “bujtinë”; deri tek bletërritësit dhe ata që merren me akuakulturë.
Agroturizmi
Sipas ndryshimeve ligjore, agroturizmi tashmë duhet të zotërojë një fermë bujqësore ose blegtorale ose njësi agrikulturore, si dhe të ofrojë aktivitete argëtuese/edukative, shërbimin e ushqimit e pijes dhe akomodim.
Për certifikimin e femrave bujqësore, duhet që ajo të ketë të paktën 1 ha tokë në pronësi ose në përdorim, të mbjellë me kultura bujqësore.
Kurse njësitë agrikulturore, e cila ka si aktivitet përpunimin e produkteve bujqësore, duhet të ketë të paktën 1 ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore.
Subjekti duhet të ketë edhe një ambient për përpunimin e produkteve bujqësore; përpunimin e produkteve blegtorale dhe mbarështimin e të paktën 10 krerëve gjedhë ose 100 krerëve dele ose dhi ose 200 krerëve shpendë.
Në këtë rast, subjekti duhet të ketë edhe një ambient për përpunimin e produkteve blegtorale, si p.sh.: qumësht, djathë, kos, dhe për mjeljen e lopëve e deleve.
Akuakultura & bletërritja
Për akuakulturën, subjektet duhet të kenë në pronësi ose përdorim sipërfaqe ujore jo më të vogël se 3 000 m 2. Subjekti duhet ta përdorë këtë sipërfaqe për kultivimin dhe rritjen e peshkut ose midhjes. Kurse ata që do të merren me bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit, duhet të kenë të paktën parkun e bletëve, me jo më pak se 50 zgjoje.
Në këtë rast, subjekti duhet të ketë në pronësi ose përdorim një ambient për vendosjen e bletëve, si dhe për mbledhjen e prodhimin e nënprodukteve të mjaltit.
Strukturat akomoduese
Për subjektet që kanë të kategorizuar strukturën akomoduese si “bujtinë”, agroturizmi mund të zhvillohet edhe në fermë bujqësore, e cila ka të paktën 1 ha tokë në pronësi ose përdorim, të mbjellë me kultura bujqësore; fermë blegtorale, e cila mbarështon, të paktën, 5 krerë gjedhë ose 50 krerë dele ose dhi ose 100 krerë shpendë; njësi agrikulturore, e cila ka si aktivitet bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit, me të paktën 30 zgjoje bletësh.
Certifikata paraprake
Subjektet e pajisura me “Certifikatë paraprake”, të cilat nuk kanë përfunduar ndërtimin e strukturës brenda afateve të miratuara nga komisioni vlerësues, duhet të paraqesin, brenda 60 ditëve nga dita e përfundimit të afatit, dokumentin që vërteton shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit, lëshuar nga autoriteti përgjegjës.
“Certifikata paraprake” është e vlefshme për aq kohë sa është shtyrja e afatit të lejes së ndërtimit. Në rast të kundërt, subjekti kthen në buxhetin e shtetit shumën e përfituar brenda 90 ditëve nga afati i përfundimit të “Certifikatës paraprake.
Kërkesat e paraqitura në ministrinë përgjegjëse për turizmin, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të shqyrtohen sipas kritereve dhe kushteve të parashikuara në këtë vendim.
/rtsh.al/ a.meta/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




