Kritiku i Putinit hedh kandidaturën për zgjedhjet presidenciale, i vetmi përballë tij

Boris Nadezhdin, një nga kritikët më të ashpër të Putin kundër luftës në Ukrainë, do të hedh kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale rusë kundër Vladimir Putin.
Nadezhdini ka mbledhur firmat e nevojshme për të kandiduar dhe renditur në fletën e votimit presidenciale, duke e lejuar atë të garojë kundër Putinit në zgjedhjet që do mbahen në mars.
Ai njoftoi se kishte dorëzuar 105 mijë nënshkrime, maksimumi i lejuar me ligj, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Moskë, i cili ka 10 ditë për të shqyrtuar nënshkrimet.
“Dua të them një falenderim të madh për ata që besuan tek ne. Shumë faleminderit atyre dhjetëra, madje qindra mijëra njerëzve që qëndruan në radhë në të gjithë vendin tonë të madh, në 75 rajone të vendit, në më shumë se 120 apo 130 qytete, duke mbledhur nënshkrime”, tha Nadezhdini në një konferencë për shtyp. Ai tha se kishte mbledhur gjithsej 208 mijë nënshkrime.
Putini njoftoi në fund të vitit të kaluar se do të kërkojë një mandat të pestë presidencial, i cili mund ta bëjë atë të mbajë pushtetin të paktën deri në vitin 2030. Analistët shprehen se kandidatura e Nadezhdinit mund të plotësojë nevojën e Putinit për të krijuar idenë e një demokracie në Rusi.
“Ky është i vetmi kandidat që dëshiron të ndalojë aksionin ushtarak në territorin e dikujt tjetër,” tha një qytetar, ndërsa priste në radhë për të dhënë firmën e tij në mbështetje të Boris Nadezhdinit.
Nadezhdini, një ish-deputet i Dumës së Shtetit, 60-vjeçar, është pozicionuar si i vetmi kandidat presidencial i gatshëm të kundërshtojë hapur luftën e Rusisë në Ukrainë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




