Kriza e grurit në Ukrainë si pasojë e luftës, G7 i kërkon Kinës të mos ndihmojë Rusinë

Botë | 4 vite më parë

Grupi i Shtatë ekonomive kryesore (G7) deklaroi se lufta në Ukrainë po nxit një krizë globale ushqimore dhe energjitike që kërcënon vendet e varfra, raporton Associated Press

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se sipas saj deri në 50 milionë njerëz, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, do të përballen me urinë në muajt e ardhshëm nëse nuk gjenden mënyra për të çliruar grurin ukrainas, që pengohet nga Rusia, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të furnizimit në mbarë botën.

Ndër të tjera G7 u zotua të sigurojë ndihmë të mëtejshme humanitare për më të rrezikuarit.

“Lufta e agresionit të Rusisë ka gjeneruar një nga krizat më të rënda të ushqimit dhe energjisë në historinë e kohëve të fundit, e cila tani kërcënon ata më të rrezikuarit në të gjithë globin. Ne jemi të vendosur të përshpejtojmë një përgjigje të koordinuar shumëpalëshe për të ruajtur sigurinë globale të ushqimit dhe të qëndrojmë pranë partnerëve tanë më të cenueshëm në këtë drejtim”, u tha nga grupi i GT

Nga ana tjetër ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly, tha se vendi i saj, një tjetër eksportues i madh bujqësor, është gati të dërgojë anije në portet evropiane, në mënyrë që gruri ukrainas t’u sillet atyre në nevojë.

Kombet e G-7 i bënë thirrje gjithashtu Kinës që të mos ndihmojë Rusinë, duke përfshirë minimin e sanksioneve ndërkombëtare ose justifikimin e veprimeve të Moskës në Ukrainë.

Pekini duhet të mbështesë sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, dhe jo “të ndihmojë Rusinë në luftën e saj të agresionit”, thanë ata.

G-7 i kërkoi Kinës “të heqë dorë nga përfshirja në manipulimin e informacionit, dezinformimin dhe mjete të tjera për të legjitimuar luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

Grupi, i cili përbëhet nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se territoret e kapura nga forcat ruse duhet t’i kthehen Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme