Kriza energjitike, pas Pakos së Madhe mijëra konsumatorë mbështetje financiare edhe nga “Kontributi i Solidaritetit”, hyn në fuqi ligji

Mijëra konsumatorë, por kryesisht shtresa në nevojë, të cilët janë prekur nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe efektet e saj, pas Pakos së Madhe, pritet të marrin edhe një mbështetje tjetër financiare nga ana e qeverisë.
Kjo, pasi sot ka hyrë në fuqi ligji për krijimin e kontributit të solidaritetit gjatë kohëzgjatjes së periudhës së krizës energjitike, ku si objekt i këtij ligji është vendosja e rregullave të përkohshme për krijimin e kontributit të solidaritetit gjatë kohëzgjatjes së krizës energjetike, me qëllim rishpërndarjen e të ardhurave shtesë për paketat sociale.
Rtsh.al sjellë në mënyrë të detajuar jo vetëm qëllimet e ligjit, por edhe metodologjinë për llogaritjen e kontributit të solidaritetit, mënyra e pagesës së kontributit të solidaritetit, penalitetet për shmangien e kontributit, kohëzgjatja e zbatimit të këtij ligji, si dhe zbatimi i legjislacionit tatimor.
Qëllimi i ligjit
Qëllimi i këtij ligji është marrja e masave të jashtëzakonshme dhe të kufizuara në kohë për të përballuar krizën energjetike dhe për të mbrojtur konsumatorët, veçanërisht shtresat në nevojë, nga ndikimet e rritjes së çmimeve nga lufta Rusi– Ukrainë, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike.
Ky ligj zbatohet për të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike, rezidentë tatimorë në Shqipëri, të cilët e tregtojnë këtë produkt me çmime të liberalizuara.
Ky ligj nuk zbatohet për prodhuesit e energjisë elektrike ndaj të cilëve është vendosur detyrimi i shërbimit publik në zbatim të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, ose që kanë kontratë shitblerje energjie elektrike me operatorë publikë.
Kategorizimi
“Prodhues të energjisë elektrike” janë prodhuesit e energjisë elektrike, të cilët e tregtojnë produktin e tyre në treg të lirë me çmime të parregulluara; “Të ardhura shtesë” konsiderohet çdo e ardhur shtesë e krijuar gjatë vitit fiskal nga shitja në treg të lirë e energjisë elektrike, të prodhuar me çmim më të lartë se 8.5 lekë/kWh; “Kontributi i solidaritetit” është një masë e përkohshme dhe e jashtëzakonshme që synon të rishpërndajë të ardhurat shtesë të prodhuesve të energjisë për të zbutur efektet sociale.
Mbështetja e konsumatorëve të energjisë përmes kontributit të solidaritetit
Të ardhurat shtesë të krijuara nga prodhuesit e energjisë elektrike i nënshtrohen një kontributi solidariteti të përkohshëm të detyrueshëm.
Kontributi i solidaritetit llogaritet mbi të ardhurat shtesë të krijuara në vitin fiskal nga shitja në treg të lirë e energjisë elektrike të prodhuar me çmim më të lartë se 8.5 lekë/kWh.
Norma e zbatueshme për llogaritjen e kontributit të solidaritetit është në masën 50% të bazës së referuar. Kontributi i solidaritetit derdhet në një llogari të veçantë të buxhetit të shtetit dhe ky kontribut përdoret në mënyrë transparente për paketat sociale në ndihmë të qytetarëve.
Metodologjia për llogaritjen e kontributit të solidaritetit
Masa e kontributit të solidaritetit për vitin paraardhës përllogaritet nga prodhuesi i energjisë duke filluar nga viti 2023, duke kryer veprimet e mëposhtme në rend kronologjik:
a) llogaritet çmimi mesatar i ponderuar me sasitë respektive të shitjeve të energjisë elektrike gjatë vitit paraardhës;
b) llogaritet sasia e energjisë elektrike e shitur me çmime të liberalizuara gjatë vitit paraardhës;
c) llogariten të ardhurat shtesë të vitit paraardhës, duke zbritur çmimin mesatar të ponderuar të shitjes së energjisë nga çmimi 8.5 lekë/kËh dhe shumëzuar me sasinë e shitur gjatë vitit paraardhës;
ç) llogaritet kontributi i solidaritetit duke shumëzuar të ardhurat shtesë të vitit paraardhës me normën 50%.
Mënyra e pagesës së kontributit të solidaritetit
Brenda datës 31 janar të çdo viti, prodhuesi i energjisë elektrike llogarit të ardhurat shtesë të vitit paraardhës dhe kontributin e solidaritetit dhe vetëdeklaron pranë administratës tatimore masën e kontributit të solidaritetit për t’u paguar.
Pagesa e kontributit të solidaritetit i vitit fiskal paraardhës sipas dispozitave të këtij ligji bëhet në 2 (dy) këste të barabarta.
Kësti i parë i shumës së përgjithshme të kontributit të solidaritetit të vitit paraardhës paguhet deri më 31 mars dhe kësti i dytë paguhet deri më 30 nëntor.
Veprimet për shmangien e kontributit
Nëse administrata tatimore pas verifikimit të kryer konstaton se kontributi i solidaritetit nuk është vetëdeklaruar nga prodhuesi i energjisë elektrike brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj ose është i pasaktë, llogarit kontributin e solidaritetit sipas metodologjisë së përcaktuar dhe njofton prodhuesin e energjisë elektrike.
Verifikimi dhe llogaritja nga ana e administratës tatimore kryhen brenda muajit shkurt të çdo viti.
Mospagimi në afat i kësteve të kontributit të solidaritetit sanksionohet me gjobë në masën 10% të shumës së këstit për t’u paguar.
Në rast mospagimi të detyrimit të vetëvlerësuar apo të llogaritur ndaj prodhuesit të energjisë elektrike merret masa e bllokimit të llogarive bankare. Afati për bllokimin e llogarive është 30 ditë pas afatit të përcaktuar të pagesës.
Nëse administrata tatimore pas verifikimit konstaton se prodhuesi i energjisë transferon të ardhurat duke aplikuar çmime dukshëm më të ulëta sesa çmimi i tregut, i lind e drejta të bëjë rivlerësimin e përllogaritjes së kontributit të solidaritetit.
Rivlerësimi i përllogaritjes së kontributit të solidaritetit aplikohet në rast se çmimi mesatar i shitjes është 50% më i ulët sesa çmimi mesatar i shitjes së energjisë në bursën hungareze.
Metodologjia e rivlerësimit të përllogaritjes së kontributit të solidaritetit nga ana e administratës tatimore, është si më poshtë:
a) identifikohet çmimi mesatar vjetor i bursës në vitin paraardhës;
b) llogaritet diferenca e të ardhurave të transferuara sipas formulës: Sasi e prodhuar x (çmimi mesatar vjetor i bursës x 50% – çmimi mesatar vjetor i ponderuar).
c) përllogaritet kontributi i solidaritetit i rivlerësuar duke shumëzuar të ardhurat e transferuara me 50%.
Rivlerësimet përkatëse nga ana e administratës tatimore kryhen brenda muajit shkurt të çdo viti.
Zbatimi i legjislacionit tatimor
Subjektet, që i nënshtrohen këtij ligji, kanë detyrimin për zbatimin e legjislacionit tatimor në fuqi, ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” në lidhje me deklarimin dhe pagesën e tatimit mbi fitimin korporativ, sipas dispozitave dhe afateve të atij ligji.
Kontributi i jashtëzakonshëm, që paguhet sipas dispozitave të këtij ligji, përbën shpenzim të zbritshëm në kuptim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Kohëzgjatja e zbatimit të këtij ligji
Ky ligj është i zbatueshëm nëse në vitin përkatës çmimi mesatar i shitjes së energjisë në bursën hungareze është mbi 180 euro/MWh.
Në çdo rast, ky ligj e humb efektin e tij më datë 31 dhjetor 2024.
/rtsh.al/a.meta/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




