Kroni Pula realizon ëndrrën! Fituesja e Festivalit 63 të Këngës për Fëmijë, pjesë e Junior Eurovision 2025

Kulturë | 1 vit më parë

Kroni Pula, me interpretimin e saj të veçantë të këngës “Fruta perime”, rrëmbeu çmimin e madh në kategorinë “Junior” në Festivalin e 63-të të Këngës për Fëmijë, dhe do të mbajë flamurin shqiptar në Junior Eurovision 2025, që do të zhvillohet në dhjetor në Gjeorgji.

Ngjarja muzikore më e dashur për fëmijët, “Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë”, ktheu Shkodrën në një festival të madh artistik, që përfshiu të gjithë qytetin.

Fituesja Kroni Pula konkurroi me këngën “Fruta perime”, me muzikë, tekst dhe orkestrim nga Adrian Hila. Në një intervistë për RTSH, Kroni tregon emocionet që i dhuroi ky festival dhe mesazhin e këngës së saj.

“Unë jam në klasën e tretë B tek ‘Dëshmorët e Lirisë’. Kur do të shkoja në Festival u gëzova shumë. 20 për qind mendoja se do të fitoja, 80 për qind s’e mendoja fare.

Mesazhi ishte që gjithmonë ne duhet të hamë fruta dhe perime.

Unë kam qenë 5 ose 6 vjeçe kur e fillova muzikën, më duket. Më pëlqeu shumë!

Gjithë shokët dhe shoqet e mia erdhën të më përqafonin. Më prisnin gjithë gëzim. Po filloja të qaja, por e mbajta veten. ‘They were tears of joy!’ Atë kisha unë,” tregon këngëtarja e re.

Pjesëmarrja në Junior Eurovision 2025 në Gjeorgji, në muajin dhjetor, është një tjetër sfidë për Kronin.

“Ëndrra ime u realizua, se do iki,” thotë ajo.

Kroni, vogëlushja që do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision, ka ëndrra të mëdha, të cilat i rrëfen gjithë çiltërsi.

“Ëndrra ime është që kur të rritem të bëhem një këngëtare shumë e famshme dhe gjithmonë, sa herë që të dal nga shtëpia, të më vinë: Kroni, Kroni, Kroni!” shprehet me të qeshur fituesja e Festivalit.

Festivali i 63-të i Këngës për Fëmijë përmbylli tri net plot emocion dhe art, duke sjellë zëra të rinj, kujtime dhe përvoja që do të udhëheqin fëmijët drejt ëndrrave të mëdha muzikore.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme