Kryebashkiaku Halili: Kukësi ka potencial turistik, investojmë në projekte të rëndësishme

Politikë | 3 vite më parë

Në një intervistë larg kostumit politik në “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, kryebashkiaku i Kukësit, Albert Halili i ka rrëfyet të gjitha që nga gjërat që nuk funksionojnë siç duhet në qytet deri tek projektet, investimet dhe jetën e tij familjare.

Synimi i kryebashkiakut Halili është ta kthejë Kukësin në një pikë turistike dhe të nxjerrë në pah potencialin e saj. Nga projekti në hyrje të qytetit, investimet e bujtinave në Shishtavec, rrugët dhe infrastruktura në qytet por edhe ndërtimi i një shkolle profesionale për t’i shërbyer tregut të punës, për kryebashkiakun Halili janë të gjitha projekte që do të shpërbërjen në zhvillimin ekonomik të zonës dhe rritjen e turistëve.

Gjithashtu Halili tha se në fund të muajit mars në aeroportin e Kukësit do të shtohet edhe një kompani ajrore franceze.

“ Në Kukës kam punuar dhe jam djalë i kësaj zone. Në lidhje me funksionimin e shumë gjërave unë e di ku janë dobësitë dhe do ndërhyjë pikërisht në ato gjëra që nuk kanë funksionuar siç duhet. Nisur nga pozicioni që ka Kukësi për zhvillimin e turizmit dhe urë lidhëse me Kosovën. Kukësi do të jetë një qendër të zhvillimit të turizmit.  Kemi edhe vizita nga ambasada të ndryshme, projekte të ndryshme, kanë një sërë kompanish për të investuar në Kukës dhe kemi një grup pune për të vënë pah potencialet e Kukësit në turizëm, në prodhimin e energjisë elektrike, në resurset në bimë mediciale dhe dita ditës që Kukësi do përmirësohet në zhvillimin ekonomik. Kemi bërë në sondash ku është ulur numri i të rinjve që largohen gjatë 2 viteve të fundit.

Kam bërë projektin që Kukësi të ketë një hyrje dinjitoze në qytet dhe do të zhvillojmë turizmin malor dhe liqenor. Po bëjmë ndërhyrjen në lagjet e Kukësit për t’i zhvilluar ato në infrastrukturë. Do krijojmë një shkollë profesionale që do i vijë në ndihmë tregut të punës dhe bizneseve. Kukësi duhet vizituar se është një qytet malor, ka turizëm liqenor, ka një tunel nëntokësor për ta bërë të aksesueshëm së bashku me Ambasadën e Britanisë etj. Në aeroport do vihet në punë një kompani franceze më fund të marsit dhe do të shtohen linjat me Londrën dhe Gjermanisë. Në Shishtavec synojmë ta zhvillojmë dhe të krijojmë bujtina që të mund të frekuentohen nga turistët. Kukësi ka nevojë për promovimin e turizmit, kam bërë projektin e rrugës së bjeshkëve dhe do të rregullohet që të lidhet me Shishtavencin”, tha Halili.

Lidhur me emigrimin e të rinjve drejt Anglisë, Halili tha se po investohet që ata të kthehen dhe të investojnë në qytetin e Kukësit.

“Secili ka të drejtën e lëvizjes së lirë dhe nuk është në ato nivele që promovohet Kukësi për largim masiv, këtu ka plot të rinj dhe kemi ndjekur politika investimi për emigrantët që do të kthehen në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe janë dhënë shumë grante që ky qytet të zhvillohet dhe të ketë potencial për investime nga emigrantët që të kthehen”, tha ai.

Se me kë e pi kafen e parë, Halili tha se kjo ndodh me grupin e ngushtë të punës në bashki.

“Kafen e parë e pimë më nënkryetarët e bashkisë dhe stafin tim më të ngushtë ku diskutojmë për problematikat dhe pastaj vijon puna. Prioritet është shërbimi ndaj qytetarëve dhe problematikat që raportohen dhe zgjidhjen e tyre”, tha ai.

I pyetur si e ka marrëdhënien me kryeministrin Rama, kryebashkiaku tha se “ kryeministri ka prioritet të zhvillojë veriun dhe të heq paragjykimet, ai është prezent në Kukës.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme