Kryebashkiaku i Athinës më 14 gusht në Himarë, tubim për lirimin e Fredi Belerit

Politikë | 3 vite më parë

Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakojanis do të mbërrijë më 14 gusht në Himarë për t’iu bashkuar një tubimi për lirimin e menjëhershëm të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit.

Sipas mediave greke, kryebashkiaku do të marrë pjesë në tubimin që organizohet me iniciativën e organizatës “Omonia” pasditen e së hënës, në Pedonalen Qendrore të Himarës, pasi skadon afati tre mujor i parashikuar nga ligji zgjedhor për betimin e Belerit.

Kalimi i afatit do t’i mundësojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vijojë me përsëritjen e zgjedhjeve.

Këtë të premte (11 gusht), Beleri u vizitua në ambientet e paraburgimit nga deputeti grek i partisë Demokracia e Re, Angelos Syrigos. Ky i fundit u shpreh se nëse Beleri nuk betohet si Kryebashkiak, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë do të prisheshin.

Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë lekë për vota.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme