Kryeministri Rama sulmon Bashën për fushatën që po bën në kohë COVID-i

Kronikë | 6 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Kavajë në vijim të fushatës elektorale ku tregoi punët e qeverisë në këtë qytet si dhe sulmoi PD për fushatën që po bën në kohë COVID-i. Nuk munguan as batutat gjatë fjalës së tij, ku kreu i qeverisë akuzoi kundërshtarët e tij politikë se gjithnjë bëhen palë me problemet, si me tërmetin ashtu dhe pandeminë.

“Duke u lutur që Zoti t’i mbrojë ata të cilët udhëheqësi i çon për skrap, le të bëjnë durim deri më 25, dhe të gjithë shqiptarët t’i japin një mësim të madh këtyre honxho-bonxhove që kanë 8 vjet që vetëm helmojnë, shkatërrojnë, që nuk kanë dhënë një kontribut të vetëm. Mirë në kohë normale, por s’kanë dhënë kontributin e tyre as të mirëkuptimit dhe të heshtjes as në kohë tragjedie. Bie tërmet, këta janë me tërmetin, bie flama, këta janë me flamën. Se këtu akoma ca vazhdojnë me fantazmën, në vend të atyre dy gishtave që u hoqën, kanë Saliun, që është si fantazma. Mirë ky, po është dhe Peço këtu, janë dy doktorë që qëkur ka ardhur virusi janë bërë si virusi. Kur dëgjon këta, të vjen ta puthësh Dash Shehin në buzë. Këta janë personazhe që në kushte normale janë për të qeshur. Janë dhe për të vajtuar. Por gjyshërit dhe gjyshet nuk po i pyesin fare, se po shkojnë masivisht të vaksinohen,” tha Rama.

Ai tha se që kur Partia Socialiste në pushtet, bizneset e vogla e kanë pasur taksën 0. Rama tha se nuk ia vlen të votohet Lulzim Basha, pasi do jua rrisë taksën 9%.

“Lëreni Lulin të flejë, s’keni për ça e votoni, që t’i paguani taksa? Për ça e doni, lëreni të flejë atje në shtëpi të vetë, ose te PD-ja, ose merreni me naj dyqan, dhe lëreni aty, se e bën top gjumin kudo që ta lësh. I them fli shpirti vllait se gjumi të bën mirë. Prandaj zgjidhni atë që bën punën, s’ju pëlqejnë çitjanet e mia? Po s’ka gjë mor, se unë nuk i shes, i kam për vete. Prandaj jemi në demokraci, vishni ça të doni, merrni fustane, pantallona. Kur merr gamorin për të mbajtur dru nuk e sheh nga ngjyra, e sheh a i mbajnë këmbët apo jo,” tha Rama.

Në fushatën elektorale të zhvilluar në Kavajë, Edi Rama gjeti rastin të sulmojë edhe kundërshtarët e tij politikë. Mes batutave kreu i qeverisë tha se njerëzit nuk mund të votojnë Lulzim Bashën, pasi përveç se ta shohin në televizor, do i paguajnë dhe taksa. Me shaka Rama tha se ia bën hallall atyre që votojnë Nard Ndokën, pasi ai është filozof.

“Me Lulin e nxjerr nga televizori, e merr në shtëpi, i paguan dhe taksë. Unë mendoj që është budallallëk i madh. Pa llogarit pjesën tjetër, që këtu s’është vetëm Luli, se ky është ta puthësh në ballë, se buzët ia lamë Dash Shehit, se kemi dhe Monikën, se ajo është qamet i madh. Është Iliri, Saliu, se është dhe Vangjel Dule e Shpëtim Idrizi. Idrizi del me sytë e kuq, se fle deri në 2 të drekës, ndërsa Vangjeli del me ato vetullat me dy kate të zeza. Se për pishtarët është koka e filozofisë Nardi, jua bëj hallall po votuat Nardin, se është filozof. Por shikoni, jemi në pikën që s’kthehemi më mbrapsht. Edhe për të mos shkuar aty, duhet mandati i tretë, që përfundimisht të heqim nga jetët tona, armikun e padukshëm, që të kthejmë në shtëpi familjet e tërmetit,” tha Rama.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme