Kupa e Shqipërisë njeh 8 çerekfinalistet

Futboll Vendi | 3 vite më parë

Pas 6 takimeve të luajtura më herët të mërkurën, në mbrëmje janë luajtur edhe dy takimet e fundit të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, të cilat, në bazë të formulës, u zhvilluan me një ndeshje të vetme. Dhe në takimin e zhvilluar në Shkodër, Vllaznia e ka mbyllur që në 45 minutat e para çështjen e kualifikimit përballë Flamurtarit, duke shënuar 3 herë me anë të Balajt, Malës dhe Alivodës. Në pjesën e dytë ka ardhur edhe një gol i 4-të, me Boshnjakun dhe Vllaznia siguron kualifikimin, pasi ka mundur Flamurtarin 4-0.

Ndërkaq, në takimin tjetër të mbrëmjes, të luajtur në të njëjtën kohë në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ka qenë Teuta vendase që patur një epërsi më të lehtë në fushën e blertë përballë Skënderbeut. Por detyra e korçarëve do të vështirësohet në minutën e 40-të kur portieri Alia do të ndëshkohet me karton të kuq. Korçarët e kanë humbur topin para zonës së tyre dhe, pas një goditjeje të lojtarëve të Teutës, gardiani i portës detyrohet të ndalë me dorë jashtë zonës për të shmangur golin.

Megjithatë pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta do të nisë praktikisht me gol, pasi Daci do të gjejë rrugën e rrjetës për durrsakët në minutën e 49-të, pas një pasimi të Arifit. 7 minuta më pas, ndërrohen rolet, pasi është Daci që pason për Arifin, i cili shmang një lojtar në zonë dhe godet, duke shënuar golin e dytë.

24 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe 4 minutat shtesë nuk sjellin të tjetër gola dhe Teuta mund kështu Skënderbeun 2-0. Kështu, veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka përcaktuar të mërkurën edhe 8 skuadrat çerekfinaliste, që janë Partizani, Tirana, Egnatia, Laçi, Kukësi, Erzeni, Vllaznia dhe Teuta.

Për përcaktimin e çifteve çerekfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet tetë ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje, me dy takime dhe sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të pozicionuara në vazon e dytë. Në ditët në vazhdim do të bëhet e ditur se kur do të hidhet shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme