Kupa e Shqipërisë, pa surpriza

Asnjë surprizë në Kupën e Shqipërisë, kjo në ndeshjet e kthimit të raundit të parë, të cilat kanë nisur të martën e kanë përfunduar të mërkurën. Vllaznia ka kërkuar kohën shtesë për të skualifikuar Flamurtarin, ndërsa ndeshja e parë kishte përfunduar 2-1 për vlonjatët. Juriç e kishte kaluar në avantazh Vllazninë katër minuta përpara se të përfundonte pjesa e parë. Aralica në të 92’ dhe Kruja në të 93’ dhe Vllaznia i kthehet rezultateve pozitive, teksa shpreson që të tilla t’i ketë edhe në kampionat.
Ndërkohë Partizani në “Elbasan Arena”, atje ku për kampionat në fundjavë do të presë Kastriotin, bëri testin e kontrollit ndaj Orikut. 2-0 për të kuqtë e Kolelës, ndërsa kanë shënuar Menish në të 43’ dhe Skuka në të 64’.
Tirana, ndërsa e kishte fituar 3-0 ndeshjen e parë, thjeshtë ka bërë detyrën. 2-2 ndaj Veleçikut me një dygolësh të Zhivanajt, kurse për koplikasit, me të njëjtën monedhë, është përgjigjur Hajdaraj. 0-0 Kastrioti ndaj Vorës, kurse Korabi ka fituar 3-0 ndaj Besës. Në grupin A më parë ishin kualifikuar dhe Dinamo, Bylisi dhe Lushnja.
Në grupin B, pas Laçit, Kukësit e Teutës, tanimë vazhdojnë të qetë në raundin tjetër edhe Tomori, Egnatia, Erzeni dhe Skënderbeu. Në raundin e dytë, teksa tashmë skema është e përcaktuar, në grupin A përballja më interesante është Bylis – Vllaznia, kurse çiftet e tjera janë Lushnja – Tirana, Korabi – Partizani dhe Dinamo – Kastrioti.
Ndërkohë grupi B ofron këto çifte: Tomori – Laçi, Apolonia – Kukësi, Erzeni – Teuta dhe Skënderbeu – Egnatia. Këto ndeshje do të luhen më 18 janar dhe 1 shkurt 2023, kurse fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë është Vllaznia.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




