Kurti në SHBA: Aktgjykimi i Speciales përmban pasaktësi faktike e gabime ligjore

Kosovë | 1 orë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawler, me të cilin ka diskutuar për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Përmes një postimi në platformën X, Kurti ka deklaruar se aktgjykimi përmban, sipas tij, “pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore”, duke shprehur pritjen që këto çështje të adresohen gjatë procedurës së apelit.

Kurti ka theksuar gjithashtu se aktgjykimi nuk përfshiu pretendimet për trafikim organesh të paraqitura në raportin e Dick Martyt dhe se hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit. Sipas tij, gjetjet e tjera të aktgjykimit duhet të rishikohen në procedurën e apelit.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën fajtorë dhe dënuan me gjithsej 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.

Në takimin me Lawler, sipas Kurtit, është diskutuar edhe situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kryeministri tha se i ka kërkuar kongresistit amerikan mbështetje për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, duke argumentuar se kjo ndikon në të drejtat e tyre të votimit dhe në qasjen në dokumentet zyrtare.

Në takim ka marrë pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Kurtit në SHBA, ku ai po zhvillon takime në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vizita vjen pas deklarimeve të tij për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me reagimin ndaj aktgjykimit të Speciales, përfshirë mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në procedurat e apelit dhe angazhimin diplomatik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme