Kurti takon Hamzën pas aktgjykimit të Hagës: Të gjejmë rrugët për të korrigjuar vendimin e padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kosovë | 55 minuta më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamzën, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në takim Kurti dhe Hamza kanë diskutuar për aktgjykimin dhe si të gjejnë rrugët e duhura ligjore për të korrigjuar vendim e Hagës.

Kurti e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe ka thënë se ai duhet të ndryshohet në procedurën e apelit.

Pas takimit, të dy janë zotuar për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet që lidhen me interesin publik, shtetëror dhe kombëtar.

“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm. Kryeministri Kurti dhe kryetari Hamza u zotuan për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e interesit publik, shtetëror dhe kombëtar’, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë së Kosovës.

Gjatë takimit Kurti-Hamza u përsërit qëndrimi se lufta çlirimtare e Kosovës ishte pjesë e përpjekjes për liri dhe pavarësi, duke e përshkruar UÇK-në si përgjigje organizative ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviçin.

“Rezistenca e popullit tonë dhe lufta çlirimtare, përveçse të drejta, ishin të domosdoshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme