Kush po i rrit çmimet e frutave dhe zarzavateve? Një vështrim mbi prodhimin, eksportin dhe turizmin

Instituti i Statistikave raporton rritje të pazakontë çmimesh në tregun e frutave dhe zarzavateve, deri edhe dyshifrore, edhe pse sezoni i prodhimit bujqësor është në pikun e tij.
Në qershor çmimet e këtyre produkteve u rriten me 26 për qind, në korrik me 21 për qind. Në gusht rritja duket më e lartë, sipas të dhënave paraprake.
Një tjetër institucion i rëndësishëm, Banka e Shqipërisë, lajmëron se treguesi i çmimeve të konsumit është ulur, duke vlerësuar me këtë rast politikat e saj të ruajtjes ligjore të inflacionit dhe inflacionit të importuar, në ulje për të disatin muaj. Pra, me fjalë të tjera, çmimet e produkteve të importit janë më të lira.
Kosto e lartë në treg, po e kundërshton treguesin e Bankës së Shqipërisë, e cila, në fakt nuk tregon inflacionin real. Matja e këtij treguesi nga Banka e Shqipërisë përfshin vetëm 69.2% të shportës së përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, pra përjashton ato produkte që, për nga natyra e tyre, kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.
Pse janë të larta çmimet në treg?
Përgjigja vjen nga tregu. Ekspertët vlerësojnë dobësitë në prodhim, njëlloj si kërkesën e lartë për eksport dhe konsumin e rritur nga më shumë se 5 milionë turistë që kanë bujtur Shqipërinë në 7 muajt e parë.
INSTAT raporton se zarzavatet dhe patatet kanë një rritje vjetore të çmimeve në korrik. Tregtarët e shpjegojnë edhe këtë rritje. Ka më pak sipërfaqe të mbjella me qepë dhe patate dhe zarzavate të tjera dhe ofertë me të ulët në treg për këto produkte. Ka kërkesë në rritje nga turizmi dhe eksportet.
Prodhimet më të mira të vendit po i merr eksporti. Furnizimet brenda vendit po mungojnë duke sjellë rritje të çmimit. Edhe sipërfaqja e mbjellë nuk po zgjerohet me të njëjtat ritme.
Në zonat rurale prodhohet për vetëkonsum, por jo edhe për treg. Fermerët po shesin me çmime më të larta këtë vit prodhimet nga serat dhe fushat, edhe për arsye të mungesës së fuqisë punëtore në fshat. Eksporti i zarzavateve në 6-mujorin e parë u rrit me 16% në vlerë, por në sasi zgjerimi ishte 8%. Fitimi vjen nga eksporti, tregut vendas i mungojnë prodhimet e vendit! Në këto kushte çmimet nuk mund të ndalen!
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




