Kushtetuesja pezulloi marrëveshjen për emigrantët, Rama në Itali: Tregon që s’i kontrolloj gjykatat, vendimi do merret përpara marsit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vendimi mbi marrëveshjen me Italinë për ngritjen në Shqipëri të qendrave të pritjes së emigrantëve që vijnë nga Afrika përmes Italisë do të merret përpara muajit mars.
Duke folur në pritjen e organizuar nga kryeministrja italiane Georgia Meloni, kreu i qeverisë shqiptare komentoi edhe pezullimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese të marrëveshjes për emigrantët.
Rama tha se “kjo është diçka që më bën për të qeshur” teksa iu referua ankimit të bërë në Gjykatën Kushtetuese të kësaj marrëveshjeje nga ana e Partisë Demokratike.
Sipas Ramës, shumë njerëz, përfshirë edhe Italinë janë goditur nga propaganda që bën opozita se në Shqipëri nuk ka demokraci.
“Georgia i përgëzoi ata kur ata bënë zgjedhjet e brendshme, mua nuk më njihte. Mendonte se isha një prej atyre miqve jo të rekomandueshëm siç e thoni ju, por rolet më pas u ndryshuan. Mbi të gjitha jam i kënaqur që edhe ata në Shqipëri e kuptojnë se goditen gjithë kohën nga propaganda që Shqipëria nuk ka më demokraci sepse ka një diktator. Ndërkohë që Shqipëria është një demokraci”, u shpreh Rama.
Kryeministri përdori si argument edhe pezullimin e marrëveshjes nga ana e Kushtetueses, si një fakt sipas tij, se ai nuk e kontrollon pushtetin gjyqësor.
“Gjykata Kushtetuese ka bërë detyrën e saj sepse është automatike prezumimi i një marrëveshjeje për t’u marrë në shqyrtim përpara se të ratifikohet nga Parlamenti.
Kështu që kjo është provë që nuk i kontrolloj gjykatat në Shqipëri. Nga ana tjetër jam besimplotë sepse marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese. Do të shohim më pas me qetësi vendimin dhe më pas do t’i vihemi punës së bashku.
Deri në mars është limiti i kohës, por unë besoj që vendimi do të merret shumë më parë sepse është një marrëveshje shumë e rëndësishme midis dy shteteve, sepse të dyja qeveritë duan të dinë nëse mund të ecin përpara ose jo”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



