Lamtumirë balerina e parë/ Sekine Sharofi, 30 vite në skenën e TOB

Kulturë | 3 vite më parë

Sekine Sharofi, balerina e parë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej shume vitesh së bashku me familjen.

Balerina e talentuar dhe energjike i veshi tutunë dhe puantet në skenë mjaft e re. Ishte 20 vjeçe kur si soliste mori pjesë në baletin “Zhurale” nga Farid Jaruli, në vitin 1959, dhe me talent në këtë fushë të artit ajo interpretoi shumë vepra të rëndësishme të kompozitorëve shqiptarë, si vepra e Çesk Zadesë, “Para stuhisë”, “Halili dhe Hajria” e Tish Daijas, “Vals rinor” në vitin 1954 me muzikë të dirigjentit M. Krantja, ku solistja Sekine Sharofi kërceu me koreografin Dedin Suli.

Në karrierën e saj 30-vjeçare do të shënohej një prej suksese të Sekine Sharofit apo siç e konsideronte kritika e kohës, “engjëlli i bardhë”, siç ishte edhe “Cuca e maleve” e kompozitorit Nikolla Zoraqi, një prej prej krijimeve më të bukura të artit koreografik shqiptar e shfaqur brenda dhe jashtë vendit, e pasqyruar disa here në filatelinë shqiptare të asaj kohe.

Ajo interpretoi edhe për fëmijët në baletin “Petja dhe Ujku” në vitin 1964, në rolin e maces, vepër e kompozitorit rus, Sergei Prokofiev, me regjisore Jorgjia Truja.

Po të paharrueshme do të mbeten për publikun e para viteve ’90 interpretimi në disa vepra të rëndësishme, “Laurencia” nga Alexander Krein, “Zhurale” nga Farid Jaruli, Lola nga Marat Gaziev, “Kujdesi i kotë” nga Hertel dhe “Sheherezada” e Korsakovit.

Prima ballerina, që shkëlqeu në skenë në çdo rol, me bukurinë e lëvizjeve, sharmin e interpretimit dhe energjinë e pashterur në skenë, renditet mes emrave të shquar të artit në vend.

Solistja e kërcimit klasik, Sekine Sharofi, e lindur më 4 mars 1938, ishte bashkëshortja e tenorit Gjoni Athanasi, me të cilin u njohën në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe sollën në jetë dy vajza, Mirelën dhe Edlirën.

Gazetare: Melisa Shameti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme