Largimi i mjekëve/ Rama i shpreh shqetësimin kancelarit gjerman, Sholz: Po përgatisim ligjin

Largimi i mjekëve dhe i infermierëve të kualifikuar nga Shqipëria për të jetuar dhe punuar në Gjermani ka qenë një nga temat që është diskutuar mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelarit gjerman Olaf Sholz në takimin kokë më kokë mbajtur sot në Berlin.
Të dy pranuan se çështja mbetet sfidë dhe gjetja e mënyrës dhe e mekanizmave që Shqipëria të mos jetë financuesi i drejtëpërdrejtë i sistemit shëndetësor gjerman po kthehet gjithnjë e më shumë në nevojë.
“E kemi diskutuar me kancelarin se si duhet të gjejmë mënyra dhe mekanizma që faktikisht Shqipëria të mos jetë financuesi i drejtpërdrejtë i sistemit shëndetësor gjerman. Ndërkohë që i kam shpjeguar kancelarit që studentët tanë të mjekësisë paguajnë 1 të 16 e kostos ndërkohë që të gjithë pjesën tjetër e paguan qeveria.”
Këto janë tema të kohës kur të gjitha vendet kanë nevojë për forcë të kualifikuar dhe jo të kualifikuar. Është e rëndësishme të gjejmë një rrugë europiane për të balancuar atë që vende si Shqipëria e vende të tjera të rajonit humbasin në këtë fazë kur duhet nga njëra anë të plotësojnë kushtet për integrimin në BE-së por dhe përmirësimin e kushteve të jetesës” tha kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për medien.
Por shtoi Rama: nuk mund ti kërkojmë as Gjermanisë as një vendi të BE-së, e as Britanisë së Madhe të ndalojë lëvizjen e lirë të kapitalit njerëzor dhe atyre që duan të sprovojnë veten në fushën e profesionit të tyre apo në tregjet e Gjermanisë“
Edhe kancelari Sholz pranoi se jemi para një “sfide të madhe“ për të cilën për ta menaxhuar Gjermania po përgatit legjislacionin për emigrimin e fuqisë punëtore.
„Është sfidë e madhe. Lëvizja e lirë është një arritje e mëdha e BE-së dhe u ka dhënë qytetarëve ndjesinë e lirisë,…., por me këtë liri janë lidhur dhe shumë sfida. Po përpunojmë legjislacionin për emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani dhe me këtë hapet tregu dhe e bën më të menaxhueshme situatën në Europë“
Largimi i mjekëve nga Shqipëria vijon të mbetet një fenomen që nuk po njeh frenim. Ky largim i ka krijuar sistemit shëndetësor boshllëqe jo vetëm nëpër qendrat shëndetësore të rretheve, por edhe në spitalet qendrore në Tiranë.
Të dhënat zyrtare të Urdhrit të Mjekut thonë se vetëm për 2022 u larguan 180 mjekë.
Kryeministri Rama ndodhet në Berlin në kuadër të një vizite zyrtare dy ditore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




