Lehtësi për shërbimin e pagesave, hyn në fuqi rregullorja që i shërben biznesit për të zgjedhur bankën tregtare

Rregulloret e miratuara në mbledhjen e 21 dhjetorit të vitit të kaluar nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, hyjnë në fuqi sot (1 mars) të këtij viti. Rregullorja bazë, ajo “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, përcakton kërkesat e autoritetit mbikëqyrës për ofruesit e shërbimeve të pagesave, ofron edhe krahasueshmërinë e tarifave të llogarisë së pagesës, duke u krijuar konsumatorëve, përfshirë sidomos bizneset, mundësinë për të patur një pasqyrë të plotë të çmimeve apo ofertave në treg mbi produktet që lidhen me llogaritë e pagesave. Rregullorja mundëson edhe transferimin e llogarive të pagesave, nëse ofrohet një ofertë më e mirë nga një ofrues tjetër në treg.
Nga ana tjetër, kjo do të thotë se rregullorja e re e BSH detyron bankat e nivelit të dytë të mundësojnë shërbimin e transferimit midis llogarive të pagesave të mbajtura në të njëjtën monedhë, për të gjithë klientët e sektorit financiar në Shqipëri.
Ekspertët e këtij tregu thonë se kjo rregullore pritet të nxisë më shumë konkurrencën mes institucioneve të pagesave (banka dhe jobanka) dhe të lehtësojë zgjedhjet e konsumatorëve.
Për ta shpjeguar më thjesht, konsumatori autorizon bankën, në të cilën ka pasur shërbimin e pagesës, ta transferojë këtë pagesë në një banka tjetër, që ka kushte më të mira për konsumatorin. Banka që ka marrë autorizimin, është e detyruar që brenda dy ditëve të punës t’i kërkojë ofruesit transferues të shërbimit të pagesës të dërgojë një listë të urdhër-pagesave periodike për transferta krediti dhe informacionin e disponueshëm për mandatet e debitimit direkt që janë transferuar.
Ofruesi transferues ose dhënës i shërbimit të pagesës ka afat pesë ditë pune për të kryer të gjitha procedurat e mësipërme. Rregullorja parashikon gjithashtu që të gjitha tarifat që i ngarkohen konsumatorit në këtë proces, qoftë nga subjekti marrës apo transferues, duhet të jenë të arsyeshme dhe të orientuara drejt kostove. Këto tarifa tashmë duhet të publikohen që bizneset që kryejnë pagesa të dinë kostot e transaksioneve të tyre dhe të zgjedhin bankën që ka kosto më të ulta.
Në kushtet e sotme bankat tregtare ofrojnë kosto të ndryshme të shërbimit të tyre të pagesave dhe në të shumtën e rasteve ështe e pamundur të bësh transparencë për fitimin e siguruar nga ky shërbim, duke e bërë konsumatorin të pa orientuar në një treg ku transparenca është edhe kosto për bizneset.
Eshtë koha që bizneset dhe konsumatorët të zgjedhin bankat me koston më të mirë dhe më të lirë të shërbimit të pagesave.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



