Lezhë, Rama: Gjekmarkaj dhe Marku u përfshinë me naivitet me PD-në, nuk luftuan për karrige

Takimet elektorale të kryeministri, Edi Rama, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kanë vijuar të dielën në mbrëmje në Lezhë. Gjatë fjalës së tij, ai është ndalur edhe tek dy figura të së djathtës, që vijnë nga familje antikomuniste, por që sot njëri ka dorëzuar mandatin e deputetit të PD-së, Mark Marku, si dhe Agron Gjekmarkaj, i distancuar tashmë nga Berisha.
Rama ka nënvizuar se i ka respektuar si kundërshtar ndonëse me ta ka pasur debate të ashpra, madje duke nënvizuar se “nuk i kam pasur për zemër”.
“Ishin dy personazhe që vinin nga bota akademike, që përfaqësonin Lezhën e familjeve të persekutuar, që u përfshinë me PD, sipas meje, me naivitet. Ata u përfshinë jo për karrige, por për të vazhduar atë që ata e quanin lufta me regjimin. Ku është Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj? Me kë janë zëvendësuar dhe pse nuk janë këtu? Ishin të parët që e kuptuan se kishin hyrë në vathën e gabuar.”- komentoi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi në fjalën e tij se ata ngritën krye, thanë publikisht atë që menduan dhe i lanë shëndenë “një gërdalli “non grata“, që vjen vërdallë nëpër Shqipëri“.
Sipas tij, Marku dhe Gjekmarkaj i përkasin shpirtërisht dhe tradicionalisht anës së familjeve, historia e të cilave u shkrua me gjakun e konfliktit me regjimin komunist, që trashëguan idenë e të djathtës jo nga jeta akademike, apo nga librat, por e trashëguan nga kujtimi i stërgjysheve dhe gjyshërve të tyre.
“Familjet e tyre komunizmi i persekutoi në çdo qelizë të familjes. Kjo është e djathta. Pse u ndanë ata nga komunistët? U ndanë sepse ata donin Amerikën, Perëndimin. E donin Shqipërinë si në Perëndim. Ata nuk donin Moskën“- komentoi Rama.
Rama theksoi se, 3 veprat e mëdha për Lezhën që do të përfundojnë gjatë mandatit të dytë të Pjerinit janë: Lidhja e Lezhës me Tiranën nëpërmjet aksit Milot – Balldren, aksi Shengjin – Velipojë dhe bajpasi i Shëngjinit.
“Në Lezhë që nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Sepse këtu kontrasti mes të shkuarës dhe të tashmës është kaq i prekshëm. Kur Lezha zgjodhi Pjerinin, Lezha ishte një nga qytetet më të papastërta në Shqipëri. Sot Lezha, jo vetëm qyteti, por bashkia Lezhë është një nga bashkitë më të pastra të vendit. Nuk e di se si vijnë në Lezhë dhe kërkojnë vota, kur e kanë të shkruar në ballë që janë të paaftë dhe të padenje për të marrë besimin e Lezhës ”,- tha Rama.
Rama foli edhe për situatën e pronave në bregdet në Lezhë, të cilat, sipas tij, opozitarët e sotëm i ngatërruan dhe e çuan bashkinë në pikë të hallit.
“Ne tani kemi ambicie të bëjmë lidhjen e Lezhës me Tiranën dhe pa e çuar një lezhjan për 15-17 minuta në Tiranë nuk e kemi bërë detyrën. ”- tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




