Ligji i ri për Komisionet Hetimore, Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e PD për shqyrtimin e saj

Gjykata kushtetuese ka pranuar kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi lidhur me ligjin për “Komisionet hetimore”. Seanca ku do të shqyrtohet me përparësi ky ligj do të zhvillohet më 27 maj në orën 10.00.
Më herët Gazmend Bardhi i kishte kërkuar përmes një letre Kushtetueses që ta shqyrtonte këtë ligj, pasi sipas tij “prek një prej të drejtave themelore që Kushtetuta i garanton deputetëve të pakicës parlamentare, atë të kontrollit të qeverisë.”
Ligji nr.106/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare të dhjetorit.

Në ligjin e ri për “Komisionet Parlamentare” kanë ndryshuar praktikat e thirrjes së dëshmitarëve në komision si dhe vendos si kusht që nisja e një hetimi parlamentar, të jetë një çështje konkrete dhe të ketë të dhëna të mjaftueshme apo incidicie që e bëjnë komisionin të nevojshëm.
Ligji i ri u hartua vetëm nga PS dhe nuk mori dakordësinë e opozitës, e cila e dërgoi atë në Kushtetuese.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



