Ligji për fondet e pensioneve private, rriten lehtësirat fiskale, synohet zgjerimi i tregut

Ekonomi | 3 vite më parë

Pas 1 viti e gjysëm diskutimesh, parlamenti bëhet gati të votojë ligjin e ri  “Për Fondet e Pensionit Privat”.

Nëse ligji i përditësuar do të marrë miratimin e parlamentit në seancën plenare të ditës së enjte, atëherë kjo do të sjellë një rritje të pragut të përjashtimit nga tatimi për të ardhurat personale çka konsiderohet nga ana e ligjvënësit si një nxitje e madhe për kontribuesit e rinj dhe për zgjerimin e këtij tregu.

Projektligji parashikon që pragu i ri maksimal të shkojë në nivelin e 480 mijë lekëve në vit ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh.

Gjithashtu me anë të këtij projektligji i cili synon të përafroje dhe harmonizojë kuadrin ligjor me Direktivën e Komisionit Evropian krijohet mundësia e krijimit të një forme të re të fondeve të pensionit, fondi me pjesëmarrje të mbyllur. 

Ky lloj fondi krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë apo bashkime sindikatash apo shoqatë në bazë të një marrëveshjeje të rënë dakord dhe u ofrohet vetëm të punësuarve pranë subjekteve të mësipërme.

Vlen të thuhet se aktualisht numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve ka pësuar një rritje graduale ndonëse pjesëmarrja në skemat private të pensioneve ngelet ende i vogël në tregun vendas.

Në total numri i individëve që kontribuojnë sot në skemat e pensionit privat përllogaritet në 2.7% të  kontribuesve në raport me numrit e përgjithshëm të të punësuarve në vend, ndërkohë që vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në 5.97 miliardë lekë, me një rritje prej 22.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gazetar: Omer Saraçi

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme