Ligji për Zonat e Mbrojtura, Delegacioni i BE: Drejtohuni nga standardet europiane

Bashkimi Europian i bëri të ditur qeverisë shqiptare të enjten (22 shkurt) se do të jetë nën monitorim për sa i përket zbatimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura, i kaluar orë më parë nga shumica e parlamentit.
Deputetë të opozitës dhe përfaqësues të shoqatave ambientaliste ngritën zërin para votimit për rrezikshmërinë që ai paraqet dhe dëmin që parashikohet t’i sjellë pasurive natyrore të vendit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi pas votimit se projektligji është konsultuar gjerësisht me përfaqësuesit e shoqërisë civile.
“Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e qartë. Duhet përpjekje të vazhdueshme nga ana e qeverisë dhe e parlamentit për të siguruar që legjislacioni shqiptar të drejtohet nga standardet europiane. Në kontekstin e negociatave për anëtarësim, miratimi i ligjeve për tema që mbulohen nga kuadri i BE-së presupozon një konsultim publik të çiltër dhe përfshirës, si edhe një proces të parashikueshëm dhe transparent,” shkroi Delegacioni i BE-së në rrjeti “X”.
Pala europiane thotë se do e ndjekë me kujdes “zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, në linjë me kornizën ligjore të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe zotimeve ndërkombëtare të Shqipërisë“.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




